UJI = JETË
Nëse pyet vetë banorët, të cilët e kanë ndjerë në qelizë shqetësimin dhe nervozizmin sa herë që secili prej tyre duhet të priste orarin, të lëvizte drejt një burimi me mjete transporti të rastit apo të blinte ujë (iniciativë që nga kostoja nuk zgjaste më shumë se 2 ditë), do kuptosh se dëshmitë e tyre nga i gjithë vendi përmbledhin në një zë domosdoshmërinë, nevojën dhe plotësimin e shërbimit kryesor, atë të furnizimit me ujë të pijshëm për një jetesë të denjë.
Në Njësinë Administrative Kallmet, Lezhë banorët deri dje rrëfenin se uji maksimumi vinte 20 minuta në ditë. E në raste të tjera dëmtimet e pompave merrnin me ditë të tëra.
“Na ka ndodh shpesh 4-5 ditë pa ujë. Dilnim rrugëve me karroca dore sa nga një vend në tjetrin. Edhe uji që vinte 15-20 minuta, për të pirë nuk bëhej fjalë. Atë ujë nuk e pinin as kuajt. Tërboheshim nga nevoja, mendo me fëmijë të vegjël e pleqëri nëpër këmbë. Na zgjidhët hall koke e shtëpie. Të jetojmë si njerëz”. Banor i zonës
Ndërkohë në zona të tjera, të njëjtave vështirësi si më lartë ju shtohej dhe pamundësia për të mbajtur ekonominë e shtëpisë. Fshati Dvoran në Korçë është një nga zonat më të njohura të pemëtarisë. Problemet e ujit sillnin mungesa në vaditje duke bërë që produktet të mos dilnin në treg.
“Vadisnim tokën në mënyra primitive, me të keq e me kursim. Aq ujë sa merrnim e mbushnim o ne o toka, kështu që prodhonim më pak. Është baza e jetës dhe shyqyr që ju gjet zgjidhje e u rregullua”. Banor i zonës
Suksesi i FUZR III ecën paralelisht dhe me mikëpritjen në Bashkinë Himarë dhe Orikum, ku ka filluar implementimi i programit të radhës FUZR IV. Prej dekadash nuk është investuar në këtë drejtim dhe nisur nga zonat më lart, pritet si një zgjidhje e qëndrueshme, sidomos përgjatë sezoneve të mbingarkuara verore.