Programi i Edukimit dhe Ndërgjegjësimit “Miqtë e Ujit”, 2021
Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë (SHUKALB) ka filluar zbatimin e programit “Miqtë e Ujit”. Programi për këtë vit zhvillohet me mbështetjen e programit “Masat Shoqëruese të Furnizimit me Ujë RWSP III”, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillimi KfW dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Ky program përfshin nxënës të arsimit fillor në të gjithë Shqipërinë, në një total prej 66 shkollash. Ndërkohë programi “Masat Shoqëruese të Furnizmit me Ujë, Rural III” do të mbështesë zbatimin e programit në 5 qytete, Devoll, Dibër, Himarë, Ura-Vajgurore dhe Klos.
Synimi i programit “Miqtë e Ujit” është të rrisë ndërgjegjësimin e fëmijëve në lidhje me çështjen e ujit, përmes një programi interaktiv që kombinon udhëzimet mbi parimet kryesore të mësimit në lidhje me ujin, me aktivitetet e punës që i angazhojnë nxënësit dhe përforcojnë parimet e të mësuarit. Në këtë drejtim, programi ndihmon nxënësit në të gjithë Shqipërinë në marrjen e njohurive bazë për të kuptuar konceptet themelore rreth burimeve ujore dhe përdorimit të tyre, duke vënë theksin në kursimin dhe mbrojtjen e ujit.
🛈 Në 2008, ky program u vlerësua me një çmim nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (IWA), si Programi më i mirë edukativ për shkollat.
Programi zhvillohet në tre faza si më poshtë:
- Faza e Parë: Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet SHUKALB dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në Ditën Botërore të Ujit, 22 Mars.
- Faza e Dytë: SHUKALB zhvillon trajnime orientuese për mësuesit e shkollave fillore para se të fillojë implementimi i programit. Fëmijët marrin Libërthin dhe mësuesit nisin të shpjegojnë konceptet kryesore duke u bazuar në Librin e Mësuesit.
Fëmijët shprehin talentin e tyre përmes vizatimeve duke nxjerrë në pah rëndesinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Vizatimet grumbullohen nga secila shkollë dhe paraqiten në një ekspozitë lokale.
- Faza e Fundit: 12 vizatimet më të mira paraqiten në Konferencën dhe Ekspozitën Vjetore të SHUKALB-it ku fëmijët, vizatimet e të cilëve janë përzgjedhur si më të mirat, bëhen pjesë e Ceremonisë së çertifikimit dhe ndarjes së çmimeve.
- Për këtë vit kjo konferencë është parashikuar të mbahet më datë 3 Dhjetor. Në fund SHUKALB përgatit dhe printon kalendarët për vitin e ardhshëm, ku secili vizatim fitues është faqja e një muaji të kalendarit. Kalendari shpërndahet më pas në të gjithë Shqipërinë.
- Që prej fillimit e deri më sot, ky program ka përfshirë mbi 20,000 fëmijë të klasave fillore në të gjithë Shqipërinë.