Kalaja e Gjirokastrës është një monument me arkitekturë dhe karakteristika unike, e cila mbart dëshmi të jashtëzakonshme për larminë e shoqërive të hershme dhe mënyrat e jetesës në rajonin e Ballkanit të cilat sot janë zhdukur, vlera të cilat e kanë bërë pjesë të Trashëgimisë Botërore (UNESCO) që prej 2005.

Në vazhdim të paketës së investimeve për mbrojtjen e monumenteve kulturore në qytetin e Gjirokastrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka filluar punimet për restaurimin e Kalasë së Gjirokastrës. Projekti ndiqet nga një bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Gjatë studimit në terren të objektit është identifikuar se gjendja e saj ishte e amortizuar dhe vërehej rrezik gjeologjik për monumentin. Objekti paraqiste dëmtime në strukturën e mureve dhe rrëshqitje dheu por edhe rrezik të lartë nga rrëzimi i shkëmbinjve dhe rrënjët e pemëve përreth kalasë. Në këto kushte ishte bërë nevojshme ndërhyrja e menjëhershme në këtë objekt.

Projekti “Zbatimi i masave paraprake për adresimin e shqetësimeve urgjente për sigurinë dhe parandalimin e humbjes së strukturave të trashëgimisë në Kalanë e Gjirokastrës” është pjesë e programit për “Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmit”, në zbatim nga FSHZH dhe financohet nga Banka Botërore.

Ndërhyrja parashikohet të zhvillohet në tre paketa, ku përkatësisht:

Paketa I-Konsolidime Gjeologjike dhe Strukturore

Paketa II-Konservimi Arkitekturor

Paketa III-Hidroizolim i tarracës së Muzeve

Me vendosjen e barrierave të përkohëshme të sigurisë, heqjen e barishteve dhe pemëve, forcimin e murreve mbështetëse të kalasë, mbushjen e zbrazëtive me beton, vendosje rrjete çeliku për mbrojtjen nga gurët etj., bëhet e mundur qëndrueshmëria e objektit dhe mbrojtja nga kushtet mjedisore dhe atmosferike.