Në progres punimet për Bypassin e Gjirokastrës

Aktualisht janë kryer rreth 50 % e punimeve

Zona e Dunavatit e cila më herët ishte “e izoluar” për shkak të një infrastrukture jo vetëm të amortizuar por me rreziqe për banorët e saj përsa i përket problematikës së rrëshqitjes së dherave, po kthehet në një pol të ri atraksioni brenda Gjirokastrës, përmes projektit për “Ndërtimin e Bypassit në qendrën Historike (“Ura e Nanxës – Urat e Mëdha Dunavat”) nga FSHZH me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare.

Ngjashëm me suksesin në realizimin e “Rehabilitimit të Qafës së Pazarit”, projekti parashikon të sjellë një vlerë të shtuar, të nxisë hapjen e bizneseve të reja, krijimin e njësive të akomodimit (bujtina, hotel), rritje të numrit të vizitorëve duke e kthyer në një tjetër burim rigjenerimi për qytetin.

“Kjo rrugë do të zbulojë një tjetër zonë turistike në Gjirokastër, lagjen Dunavat ku ka po aq shtëpi karakteristike e me vlera historike dhe arkitekturore”. – Deputet i zonës Bledi Çuçi

Projekti i shumëpritur ndikon në mënyrë direkte rreth 4400 banorë, përpos numrit gjithnjë e në rritje të vizitorëve të cilët shprehen se kjo ndërhyrje do të “çlirojë qendrën e qytetit, nga makinat”, duke rritur gjithashtu sigurinë dhe bërë më funksionale në shërbim të komunitetit. Ndërhyrja mbron dhe nxjerr në pah vlerat e zonës historike.

Ndërtimi i Bypassit është pjesë e një “ansambli arkitekturor” që po realizohet (risjellim në vëmendje projektet e tjera në zbatim nga FSHZH prej sheshit Çerçiz Topulli, Sistemin e Muzeve dhe Restaurimin e Shtigjeve përgjatë tyre, hapësirat mbështetëse dhe godinën e parkimit). Kjo pasi fokusi i FSHZH nuk ështe thjesht përmbyllja e projekteve të caktuara infrastrukturore në zonat ku ajo ndërhyn por zhvillimin e një “portofoli të plotë investimesh”, duke ndikuar në përmirësimin e kushteve të jetesës e njëkohësisht duke ndihmuar dhe industrinë e turizmit për të sjellë një zhvillim ekonomik/social në çdo rajon të vendit.

Gjithashtu në interes: “Shqipëria në vëzhgimet ndërkombëtare”

Link:https://www.theguardian.com/travel/2021/aug/09/journey-to-albania-search-europes-muslim-heritage