Projekti më i ri që afron destinacionet turistike Shëngjin – Velipojë
Ndërtimi i Segmentit Shëngjin-Velipojë shkurton distancën prej rreth 65 km në 15 km, e rrjedhimisht kohën e udhëtimit në vetëm 20 minuta
Në kuadër të Programit ‘Konektiviteti i Rrugëve Rajonale dhe Lokale’ financuar nga BERZH, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka filluar punimet e një prej projekteve më ambicioze, atë për ndërtimin e segmentit të ri, Shëngjin – Velipojë. Ky segment rrugor do të jetë një aks i ri, I cili për nga ana Admnistrative do të përfshijë Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Lezhë. Objekti parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 15 km nga të cilat afro 6 km e para do të shtrihen në Rrethin e Lezhës dhe në vijim në atë të Shkodrës. Rruga do të jetë paralelisht me vijën e bregdetit që shtrihet midis dy qendrave të banuara, duke shërbyer njëkohësisht jo vetëm për lidhjen e tyre por në vazhdimësi edhe për lidhjen më tej me Ulqinin.
Aktualisht përgjatë kësaj gjatësie ka mungesë të plotë të infrastrukturës si edhe rrjeteve elektrike, ujësjellës e kanalizime, të cilat e bëjnë praktikisht të pamundur zhvillimin e kësaj zone. Në këtë kuadër, FSHZH synon që përmes përmirësimit të infrastrukturës këto dy qendra të rëndësishme të turizmit të ndërlidhen në një segment i cili përpos distancës së shkurtër, krijon akses, siguri në lëvizje, dhe potenciale të reja për zhvillimin e zonës dhe gjithë rajonit. Veçanërisht ndërtimi i këtij aksi do t’i japë një zhvillim cilësor turizmit (dhe të gjithë nëndegëve të tij) por edhe më gjerë, duke sjellë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorët socio-ekonomik, me parashikimin e iniciativave të reja të biznesit përgjatë një prej panoramave më të veçanta bregdetare.
Ndërtimi i segmentit Shëngjin-Velipojë është parashikuar të zhvillohet në 5 Lote si më poshtë:
- Segmenti i parë – Zona Urbane Shëngjin
Ky segment do të ketë gjatësi 1.35 km, ku fillimisht do të shtrihet mbi rrugën ekzistuese, e cila fillon përballë me hyrjen e Portit të Shëngjinit. Më pas vijon duke u ngjitur në shpatin e kodrës dhe duke kaluar përmes zonës së re të banuar mbi Shëngjin. Duke qenë se gjurma e re do të shtrihet në një zonë të banuar, do të ketë trotuare dhe ndriçim rrugor.
- Segmenti i dytë – Zona në ngjitje nëpër Malin e Rencit
Ky aks do të jetë me gjatësi rreth 3.9 km, duke filluar nga km 1.35 deri në km 5.25. Segmenti rrugor do të fillojë në fund të rrugës së banuar duke vazhduar përgjatë shpatit të Malit të Rencit, e cila kalon nëpër një terren malor jo shumë të thyer. Rruga do të ndjekë një aks rrugor rural ekzistues, i cili shkon në Margjonaj, në terren me pjerrësi të vazhduar në ngjitje. Traseja shpesh afrohet buzë pllajës duke e bërë këtë rrugë panoramike mbi detin Adriatik. Në fund të segmentit, ku dhe ndodhet pika më e lartë e relievit do të ndërtohet një platformë për ndalimin e automjeteve, si një pikë vendqëndrimi atraktive për turistët.
- Segmenti i tretë – Zona në zbritje nga Mali i Rencit
Gjurma tërësisht e re e këtij segmenti do të ketë një gjatësi prej 4.7km dhe do të fillojë nga km 5.25 – km 9.95. Aksi pasi arrin kulmin e ngjitjes, mbi zonën e “Rërës së Hedhun” do të zbresë përgjatë shpatit të malit të Rencit. Vështirësia në ndërtim qëndron në faktin se segmenti kalon në një terren tepër të thyer dhe karakterizohet nga shpate të thepisur, ku lind domosdoshmëria e veprave të artit përgjatë gjatësisë.
- Segmenti i katërt – Zona përgjatë ranishtes së Rrjollit
Ky segment do të ketë një gjatësi prej 2.85km, i cili do të nisë nga km 9.95 deri në km 12.80. Pas zbritjes nga Mali i Rencit, traseja do të kalojë në pjesën fundore të ranishtes me gjerësi 700-800m, e cila shtrihet deri në këmbët e malit të Rencit. Traseja e kësaj rruge ndjek përgjithësisht një gjurmë rruge ekzistuese që shërben për zonën e plazhit dhe me lëvizje të shtuar gjatë sezonit veror. Edhe në këtë zone, si një hapësirë e banuar parashikohet të ketë trotuare, ndriçim, gjelbërim etj.
- Segmenti i pestë – Zona Rrjoll – Velipojë
Segmenti me gjatësi 2.30 km do të fillojë nga km 12.80 deri në km 15.10. Ky aks fillon nga Rrjolli, ku pasi shkëputet nga kryqëzimi me rrugën ekzistuese të Rrjollit, traseja e rrugës kalon pranë Liqenit të Vilunit duke ndjekur trasenë e një rruge ekzistuese. Më pas rruga kalon nëpër një terren fushor i ashtuquajtur Livadhi i Bllanes dhe vijon në hyrje të Velipojës, ku lidhet me rrugën ekzistuese. Zona në hyrje të Velipojës do të trajtohet si rrugë urbane, me trotuare dhe ndriçim. Këtu do të përfshihet edhe ndërtimi i një Ure të re mbi Lagunën e Vilunit.
Gjithashtu do të krijohet akses për në Lagunën e Vilunit, e cila ka gjithmonë edhe më tepër numër të shtuar vizitorësh.