Drejt përfundimit “Sistemimi i Lagjes së Sotallarëve”, Bashkia Divjakë
Në Bashkinë e Divjakës jetojnë rreth 34.254 banorë dhe shtrihet në terren fushor me klimë tejet të favorshme tipike mesdhetare për zhvillimin e turizmit, pasi ka diell në rreth 230-240 ditë në vit. Vetëm 5 km larg qytetit ndodhet Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, i cili është pjesë e Lagunës së Karavastasë dhe është nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, si një nga ekosistemet më të rëndësishme në vend me faunë tejet të pasur.
Nëpërmjet sistemimit të lagjes së Sotallarëve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financimin e Qeverisë Shqiptare synon rijetëzimin e zonës për banorët duke shtuar një tjetër aset për ofertën turistike. Duke qenë se Divjaka ndodhet tërësisht në një zonë rurale dhe pjellore, ku aktivitet kryesor ekonomik ka bujqësinë dhe në një masë të vogël peshkimin në lagunën e Karavastasë, sistemimi i lagjes së Sotallarëve nxit në krijimin e iniciativave të reja për turizëm në bujqësi, blegtori, peshkim etj.
Gjatë realizimit të këtij projekti është evidentuar mbështetja dhe kontributi i banorëve, të cilët me vullnetin e tyre kanë hequr muret rrethuese në banesat e tyre duke i hapur rrugë realizimit të projektit, por edhe zhvillimit të qytetit. Shtuar këtu dhe faktin se kjo zonë është transformuar në një zonë rezidenciale sipas kërkesave dhe standardeve të kohës.
Si një zonë me vendndodhje gjeografike në jug-perëndim të vendit, ku parku kombëtar i Karavastasë vizitohet nga rreth 300.000 turistë ditorë në vit, me realizimin e këtij projekti qyteti bëhet më i prekshëm për vizitorët dhe atraksion për zhvillimin e turizmit familjar pasi zona veçohet për bukuri natyrore dhe prodhimtari të lartë.
Gjithashtu rehabilitimi i këtij bllokut rrit aksesin drejt tregjeve bujqësore përreth zonës por edhe lehtësi për eksportimin e tyre jashtë vendit, pasi prodhimet e saj tregëtohen përtej kufijve të rajonit ndër të cilat përfshihen (bostani, karrota, lakra, lulelakra, brokoli, domatja, patatja, fasulja, ulliri) etj.