“Sistemim dhe rijetëzim i qendrës Bogovë dhe rruga lidhëse për tek ujëvara Skrapar”
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka filluar punimet në zonën e Bogovës. Së fundmi në këtë zonë vërehet një rritje gjithnjë dhe më tepër e numrit të vizitorëve. Fshati Bogovë mbart të gjithë potencialet për të qeenë një destinacion turistik për vendasit dhe për të huajt. Bogova ndodhet në Njësinë Administrative me të njëjtin emër, e shtrirë mes maleve dhe e gjelbëruar gjatë gjithë vitit, pjesë e rrethit të Skraparit. Fshati turistik i Bogovës ndodhet në lartësinë 265 m mbi nivelin e detit. dhe përbëhet nga 9 fshatra (Bogova, Novaj, Bargullasi, Nishova, Kakruka, Dobrusha, Perparimi, Selani dhe Jahupasi) me rreth 2500 banorë.
Ndryshe nga zona e Skraparit ku 70% e popullsisë është larguar drejt qyteteve të mëdha, në Bogovë ka ndodhur një tjetër dukuri ajo e popullimit. Që pas viteve 1990 numri i banorëve është rritur, duke njohur vlerat e natyrës dhe mundësitë e mira për të bërë turizëm.
Bogova quhet ndryshe edhe si porta hyrëse e turizimit në Skrapar, zonë e cila vizitohet çdo vit nga rreth 50 mijë vizitorë. Turistët që vizitojnë Beratin në itinerarin e tyre vizitojnë edhe Bogovën. Sot, vetëm në qendër të fshatit numërohen nëntë biznese shërbimi, ndërsa në të gjithë Njësinë numërohen 20 të tillë; si hotele, restorante dhe bare. Nisur nga ky numër i lartë vizitorësh, turizmi duhet të suportohet nga një infrastrukturë publike me standarde. Nevoja e rehabilitimit të kësaj qendre bëhet për të realizuar një pikë të sistemuar dhe funksionale, pasi pozicioni i saj në lidhje me rrugën nacionale është pikë kyçe si për banorët ashtu edhe për turistët vendas dhe të huaj.
Ndër objektikat e projektit janë edhe sistemimi dhe disiplinimi i ujrave të kësaj dege, e cila në momentet e reshjeve ka një prurje që paraqet rrezikshmëri për bizneset që janë në të dy krahët e këtij lumi.
Gjithashtu do të kryhet sistemimi i territorit përreth ku do të realizohet një pedonale që të jetë në funksion të komunitetit dhe prezencës së pasqyrimit të traditave dhe resurseve natyrore që ka kjo qendër. Pjesë e këtij projekti është edhe ujvara së Bogovës e cila për nga karakteristikat dhe veçoritë që ka është unike në llojin e vet.