Rikonstruksion i Sistemit të Muzeve në Gjirokastër
Aktualisht është realizuar rreth 40% e punimeve
Gjirokastra, njihet ndryshe si ‘qyteti i gurtë i njëmijë shkallëve’ në jug të Shqipërisë, dhe veçohet për kalanë, rrugët me kalldrëm, muret dhe çatitë prej guri, ballkonet e drunjëta të cilat krijojnë një arkitekture unike. Si një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga rreth 80 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në vit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim të Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare aktualisht po restauron 4 objekt investime duke ndërthurur simbiozën e të vjetrës me të renë në ruajtjen e karakteristikave historike. Duke qenë se objektet janë amortizuar përgjatë viteve, ndërhyrjet konsistojnë në restaurim/rindërtim kalldrëmi, restaurimi/konsolidimi i mureve anësore, ndriçim estetik etj.
Aktualisht vazhdon restaurimi i kalldrëmeve në rrugën ‘Sado Meleqi’ si dhe rrugën ‘Ramadan Mane’. Për këtë të fundit paralelisht po punohet dhe për restaurimin e mureve prej guri. Ndërkohë në muzeun ‘Ismail Kadare’ kanë përfunduar punimet për shtrirjen e rrjeteve të ndricimit, internetit, mbrojtjes nga zjarri, kamerave, ngrohjes etj.
Në projekt përfshihet edhe Muzeu Etnografik, ku po vazhdojnë punimet e suvatimit dhe patinimit të mureve të gurit dhe punime restaurimi, si dhe punime të rikonstruksionit të çatisë.
“Muzeu Etnografik është në 40% të punës tashmë. Këtu kemi edhe pjesë të pllakave me shkrime nga Edward Lear të cilat do të jenë pjesë e shesheve ku do jetë i gjithë itinerari i Edward Lear”, – sqaron gjatë një inspektimi në terren Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti.
Si një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike dhe kulturore nëpërmjet këtij projekti synohet të ruhen vlerat e objekteve historike, si atraksione gjithmonë edhe më tepër të lakmuara në shërbim të turistëve.