Qendra e Zhvillimit e Turizmit në Korcë, ish godina e maternitetit të vjetër me vendndodhje në qendër të qytetit, është në proces transformimi duke u rikonceptuar në përshtatje me kërkesat e kohës. Në kushtet kur godina ka qenë totalisht e abandonuar, vëreheshin amortizime, degradim dhe dëmtime në strukturë por edhe rrezik për banorët. Në këtë situatë lindi domosdoshmëria për të rinovuar objektin, pasi u pa e nevojshme për të mundësuar siguri, dhe përmirësimin e performancës së objektit në krijimin e kushteve të duhura për zhvillimin dhe fuksionimin e saj.

Korça zë një vend kyç për zhvillimin e turizmit në jug-lindje të vendit, ku prej vitesh vihet re kërkesë gjithmonë edhe me e lartë për shërbime ndaj turistëve dhe banorëve, transformi i Qendrës së re të Turizmit në një qendër të larmishme do të ofrojë shërbime si operatorë turistik, hoteleri, bar, restorant, sallë konferencash, por edhe shërbime për studentë, start-up, internet, kompjutera, workshop etj.

 

Z. Sotiraq Filo.

Kryetar i Bashkisë Korçë
“Kemi një numër në rritje të vizitorëve që zgjedhin Korçën si destinacion dhe besoj që me këtë projekt të FSHZH-së, ne do t’i shtojmë jo vetëm infrastrukturës turistike një aset të ri por edhe premisat për të kualifikuar staf që do të shërbejë në sektorin e turizmit por edhe më gjerë”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbështetur nga Qeveria e Shqipërisë nëpërmjet një koncepti të ri për funksionimin e ndërtesës, synon jo vetëm ofrimin e një sërë shërbimesh për t’í dhënë një hov tjetër dhe për ta kthyer në një objekt që do të mbajë vetveten në pikpamjen e operimit të saj por edhe duke u integruar me programet e investimit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimit Europian. Ndërtesa është konceptuar si një qendër multifunksionale midis partneritetit publik-privat. FSHZH si qendër operacionale do të jetë prezente në ndjekjen dhe mbarëvajtjen përgjatë funksionimit dhe ofrimit të shërbimeve të godinës, si dhe projekteve të shumta në rajon të parashikuara dhe në proces.