Programi me financim zviceran dhe austriak për zhvillimin rajonal sapo nisi një skemë grantesh prej 1.2 milion Euro në mbështetje të bashkive dhe bashkëpunimit ndër-bashkiak midis rajoneve në Shqipëri, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Bashkitë të cilat janë përfshirë në programin e ‘100+ Fshatrave’ tani mund të aplikojnë për të marrë grante të cilat nxisin zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe infrastrukturës: një skemë e re grantesh sapo u lançua nga programi zvicerano-austriak për zhvillimin rajonal në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

 

Dritan Agolli

Drejtor ekzekutiv/Fondi Shqiptar i Zhvillimit
“Kjo skemë grantesh është pjesë e reformës së zhvillimit rajonal qe çohet perpara nga Qeveria shqiptare dhe që është konceptuar ndryshe. Ndërhyrjet e mëparshme rajonale kanë patur kryesisht një karakter sektorial, që do të thotë se ato përpiqeshin të përmirësonin transportin, bujqësinë apo turizmin. Mirëpo zhvillimi rajonal në thelb është një qasje horizontale, që i lidh bashke të gjithë sektorët ne territor, duke synuar të sjellë vlerë të shtuar”

Chantal Nicod

Drejtuese për Qeverisjen dhe Shëndetësinë, Ambasada e Zvicrës.
“Jemi të gëzuar që përmes kësaj skeme grantesh, bashkitë do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me sektorin privat, shoqata biznesesh, si dhe midis vetë bashkive. Së bashku me përfaqësuesit austriakë ne kemi mbështetur zhvillimin rajonal për disa vite dhe presim të shohim impaktin në përmirësimin e jetës së njerëzve”
Në aktivitetin kryesor të lançimit ishin të pranishëm përfaqësues nga bashkitë e qarkut Tiranë, të cilët u informuan mbi hapat që duhet të ndërmarrin për të aplikuar. Tre sesione të tjera informuese po kryhen në Vlorë, Shkodër, dhe Korçë.

Projektet të cilat mund të marrin grante përfshijnë mbështetje për potencialet e turizmit, ekonominë vendore, zhvillimi kapacitetesh dhe infrastrukturë të lehtë. Ndërhyrjet duhet të sjellin përmirësime në ofertat turistike, aktivitetin ekonomik të komuniteteve vendore, shërbime sociale dhe menaxhimin e burimeve natyrore.

Paketa e granteve është hartuar që të nxisë bashkëpunimin ndër-bashkiak por edhe bashkëpunimin me biznese private, OJQ, dhe institucione arsimore. Ajo synon të rrisë konkretisht zhvillimin dhe kohezionin midis rajoneve, të reduktojë pabarazitë midis rajoneve, dhe të zhvillojë potencialet e zonave të largëta të cilat janë të përfshira në ‘Programin për Zhvilim të Integruar dhe të Qëndrueshëm të 100+ Fshatrave të Shqipërisë 2022-2026”.

Zvicra dhe Austria kanë mbështetur Programin për Zhvillimin Rajonal Shqipëri për disa vite si pjesë e përpjekjeve për inkurajimin e zhvillimit ekonomik, reduktimit të pabarazive dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të qytetarëve shqiptarë në të gjithë rajonet