Lumi i Vlorës, në proces Lot III dhe kanë filluar punimet për Peshkëpi – Selenicë
Ndërtimi i rrugës së Lumit Vlorë vendosi një standard të ri, jo vetëm në aspektin e ndërtimit dhe problemeve gjeologjike nëpër të cilit duhej të kalonte, por edhe në zbulimin e destinacioneve të reja, territoreve të braktisura natyrore në vendin tonë, në mungesë të gjurmës së rrugës e rrjedhimisht aksesit.
Rruga prej rreth 100 km nxjerr në pah zona të reja zhvillimi në funksion të turizmit dhe padyshim të bujqësisë dhe blegtorisë, duke mundësuar një dalje direkte të produkteve në tregun vendas dhe të huaj për eksport. Ky i fundit një proces ekonomik në rritje çdo ditë, duke shtuar të ardhurat për familjet në Jug. E në këtë drejtim Qeveria Shqiptare e ka vijuar investimin përtej infrastrukturës, duke ngritur dhe pika të grumbullimit apo të industrisë përpunuese të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Mundësimi i aksesit normal përfshin dhe shërbimin shëndetësor administrativ etj për banorët e këtyre zonave të cilët e kanë mirëpritur prej kohësh këtë ndërhyrje emergjentë në lidhjen me zona të tjera duke krijuar një korridor mes pjesës së brendshme të Vlorës me gjithë Bregun e Jonit.
Aktualisht punimet për Lotin e dytë në Lumin e Vlorës janë pothuajse në përfundim dhe është realizuar rreth 90% e asfaltit, ndërkohë në Lotin e 3 është hapur rreth 80% e trasesë.
Në Peshkëpi – Selenicë punimet kanë filluar me ritme mjaft të mira, për të përmbushur kështu një nga projektet më ambiciozë në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës, sepse qëllimi është një lidhje përfundimtare dhe jo vetëm mes fshatrave të Vlorës, por edhe mes Vlorës dhe Himarës, duke i krijuar mundësi edhe banorëve të Tepelenës apo edhe turistëve që vijnë nga ana tjetër e Shqipërisë, nga Gjirokastra dhe Tepelena për të patur një akses më të shpejtë në bregdet.Rehabilitimi dhe ndërtimi përfundimtar i këtij aksi dhe kjo paketë investimesh në “Alpet e Jugut” parashikon të sjellë një rritje mesatare të fluksit të njerëzve dhe të mallrave me mbi 4% në vit, në të gjithë vendin. E gjithë kjo në shërbim të ekonomisë lokale e asaj kombëtare, ku përfshijmë këtu dhe rritjen e iniciativave agroturistike për shumë çka kjo zonë ofron.
Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Përmet, të lidhura së bashku në një portofol turistik, të cilat në vijim do të përshkrohen në distanca më të shkurtra dhe duke prezantuar pamje spektakolare.