Tiranë-Kufijtë e zonës se ndërhyrjes urbane janë rrugët ekzistuese: Bulevardi Blu-rruga Berisha – rruga Londër – rruga OSBE, dhe ndodhet në Njësinë Administrative Kamëz, qarku Tiranë, në pjesën veri-perëndimore të Tiranës. Zona në të cilën është në proces ndërhyrja ka qenë e ndërtuar kryesisht pas viteve 1990, ku mbizotëronin ndërtime të vjetra dhe infrastrukturë e amortizuar.

Projekti në fazën e parë të tij i ka dhënë jetë qëndrimit dhe lëvizjes në bllok duke kthyer në hapësira të jetueshme dhe të qëndrueshme ato hapësira që deri tani ishin abandonuar nga banorët e bllokut. Lëvizja e makinave ishte kaotike dhe në këtë drejtim u mundësua krijimi i rrugëve me një dhe dy sense duke lehtësuar, përmirësuar qarkullimin e makinave dhe njëkohësisht kufizimin e lëvizjes së tyre brenda hapësirave publike për këmbësorët, brenda bllokut pasi projekti ka konceptuar sheshet e qëndrimit si hapësira të sigurta dhe argëtuese për të gjithë grupmoshat.

Janë në proces asfaltimi të gjithë rrugët e brendshme dhe kufizuese, si dhe do të ndërtohen trotuare të reja si në rrugë dhe përgjatë pallateve. Kjo do të sjellë dhe sistemimin e infrastrukturës nëntokësore (trajtimin e ujërave të bardha, të zeza, rrjetit të internetit dhe telefonisë).

Gjithashtu projekti parashikon dhe ndërtimin e një tregu të ri (markatë fruta perime) modern me konstruksion metalik (ngjashëm me ndërtimin në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë, pajisur dhe me tualete publike). Në projekt janë propozuar dhe 2 sheshe per lojëra për fëmijë (mosha 3-6 vjec), si dhe hapësira të tjera të cilat shërbejnë për grumbullimin e familjeve dhe personave të moshes së tretë.

Është në proces rehabilitimi dhe pedonalja e cila shërben si hapësirë për të zhvilluar aktivitetin e tregut të njësive të ndryshme materiale (tregu ekzistues i veshjeve dhe aksesoreve të ndryshëm). Një tjetër ndërhyrje në këtë bllok është edhe vendosja e gjelbërimit (të ulët dhe të lartë), pasi në këtë bllok gjelbërimi ishte inekzistent. Shtimi i gjelbërimit në bllok ka funksion jetësor dhe estetik vizual.

Ndriçimi gjithashtu është një element që i mungonte bllokut të banimit dhe me shtimin e tij dhe elementëve të tjerë të mobilimit urban (stola, parkim biçikletash, pika grumbullimi mbeturinash, etj) sjell një rivitalizim të zonës, shfrytëzim për shëtitjet e pasdites dhe gjatë mbrëmjes.

Ndërhyrja në këtë bllok banimi, përveç ndërhyrjes në infrastrukturë dhe në hapësirat publike, kemi ndërhyrje rehabilitimi edhe në fasadat e objekteve ekzistuese (5 katëshe), si dhe në unifikimin e rrethimeve për objektet private (1-3 kate). Kjo konsiston ne pastrimin e tyre, veshjen me kapote termike dhe lyerje me bojë sipas ngjyrave të caktuara në koncept. Për objektet e ulta 1-3 kate ndërhyrja konsiston në unifikimin e rrethimit të tyre, me anë të lartësisë dhe materialit të njëjtë.

Projekti do të sigurojë nivele dhe standarde jetese bashkëkohore në bllokun e banimit.