Rikonceptimi i hapësirave nga Jugu në Veri
Pas fasadave në Vlorë, vijon rikonstruksioni i fasadave në qytetin e Lezhës dhe risistemim i hapësirave të brendshme në bllokun Nr. 1
Qyteti i Lezhës karakterizohet nga një histori e pasur, reflektuar kjo dhe në objektet arkitektonike si kalaja e qytetit, Mauzoleu i Skënderbeut apo monumente të tjera të veçanta të cilat shënjojnë ngjarje të caktuara historike. Afërsia me detin adriatik, natyra e pasur dhe historia arkitektonike dhe kulturore e kanë kthyer këtë qytet në një destinacion të preferuar turistik.
Mbi lumin Drin ura lidhëse është dhe porta hyrëse kryesore e qytetit, e cila realizon aksesin për në pjesën qendrore të qytetit, sheshin Gjergj Kastrioti. Në këtë shesh pozicionohen objektet kryesore administrative dhe kulturore të qytetit si bashkia dhe qendra kulturore. Në krahun verior të kësaj ure përballë sheshit Gjergj Kastrioti, pozicionohen disa objekte me lartësi 3,4 dhe 5 kate me karakter tregetar dhe hotelier. Ndërkohë në jug të urës lidhëse pozicionohen një grup godinash banimi me lartësi 3,4 dhe 5 kate me funksion banim. Këto dy grupe objektesh përbëjnë edhe fasadën kryesore të qytetit.
Blloku i Banimit nr.1 pozicionohet në pjesën perendimore të qytetit të Lezhës, përgjatë lumit Drin dhe rrugës “Luigj Gurakuqi” në krahun lindor. Blloku nr.1 përfshin një sipërfaqe të përgjithshme prej gati 9000m², dhe 9 objekte banimit me lartesi 3,4 dhe 5 kate. Këto objekte janë ndërtuar para viteve 90, por i janë nënshtruar shtesave të mëvonshme përgjatë viteve. Gjendja ekzistuese e fasadave të objekteve paraqitet mjaft problematike, me dëmtime të rifiniturës së jashtme të objekteve, trajtime të ndryshme dhe të pa unfikurara të shtesave apo ndërhyrjeve të mëvonshme. Dëmtime të rrugëve të brendshme të bllokut dhe mungesë të hapësirave rekreative dhe shesheve të lojrave për fëmije.Kjo hapësirë do të rikonceptohet me një organizim të ri. Në pjesën qëndore me një sipërfaqe prej 800m² do të pozicionohet hapësira e parkut, e trajtuar në disa zona me gjelbërim, stola dhe sheshe lojrash për fëmijë. Kjo hapësirë do të trajtohet dhe kompozohet me disa lloje materialesh, sipërfaqe tartani, sipërfaqe betoni dhe pjesë te veçanta te trajtuara me zhavorr. Ndërkohë përreth sheshit qëndror përgjatë objekteve do të pozicionohet rruga qarkulluese për automjetet, të cilat do të parkohen në dy hapësirat e parashikuara për to në dy skajet fundore të bllokut.
Kjo ndërhyrje do të mundësojë një pamje të re, moderne e cilësore për banorët e qytetit, si dhe për vizitorët përqëndruar më së shumti gjatë sezonit veror.