Përmirësimi i shtresave rrugore në aksin Rrethrrotullimi Çermë – Çermë e Poshtme-Divjakë
Me një gjatësi prej 13.1 km kjo rrugë fillon në rrethrrotullimin në superstradën Rrogozhinë-Lushnje, përshkon fshatin Çermë e Sipërme dhe fshatin Çermë e Poshtme dhe përfundon në hyrje të qytetit Divjake, bashkia Divjake.
Aktualisht rruga paraqitet në një gjendje të amortizuar me asfalt të dëmtuar. Pothuajse në të gjithë gjatësinë konstatohen plasaritje dhe të çara të shtresave rrugore, kryesisht në të dy anët e saj.
Ky aks karakterizohet nga një intensitet i lartë qarkullimi, si për njerëzit dhe për mjetet e transportit të të gjithë llojeve. Rruga është aks kryesor (rrugë nacionale) dhe ju shërben bizneseve të shumtë që ndodhen në dy anët e saj e rrjedhimisht të gjithë bizneseve të Divjakës. Por jo vetëm në aspektin ekonomik, kjo rrugë ju vjen në ndihmë dhe banorëve, nisur këtu dhe nga denduria e banesave/popullsisë, mund të konsiderohet edhe si një rrugë urbane në shumë prej segmenteve të saj.
Nga FSHZH do të kryhet përmirësimi i shtresave rrugore për segmentin rrugor më të dëmtuar dhe hedhja e asfaltobetonit për të gjithë sipërfaqen e rrugës. Për këtë segment rrugor janë parashikuar punimet si më poshtë vijojnë:
- Skarifikim shtrese asfalti me makineri dhe gërmim me thellësi (në pjesët ku do të kryhet riparimi i nështresës së rrugës, pra për pjesët ku vërehen çarje dhe cedime të shtresave asfaltike),
- Shtresë cakulli,
- Shtresë stabilizanti,
- Profilim me binder, (profilim në segmente të ndryshme për rregullimin e pjerrësisë tërthore),
- Binder (në pjesët ku do të bëhen riparime të pjesshme në trupin e rrugës).
- Skarifikim asfalti me freze (në pjesën e trupit ekzistues të rrugës në rastin ku zbatohet),
- Asfaltobeton (në të gjithë gjerësinë e rrugës),
- Ndërtim bankine me stabilizant.
Kjo ndërhyrje është në vijim të disa projekteve infrastrukturore në zonë, duke lehtësuar për të gjithë banorët dhe fermerët qarkullimin dhe veprimtaritë me karakter bujqësor.