Projekti i ri në Bashkinë Devoll
Rikonstruksioni i rrugës Miras – Arrëz, Lot 1
Bashkia Devoll shtrihet në Qarkun e Korçës dhe ky aks do të lidhë dy fshatrat e mësipërm. Segmenti Miras – Arrëz L=8+511 ml është një rrugë që kalon në të gjithë gjatësinë e saj në terren malor. Ajo fillon në dalje të fshatit Miras dhe vazhdon deri në kryqëzimin e rrugës Arrëz- Nikolicë dhe përfundon në fshatin Arrëz.
Ka 4 momente të cilat nënvizojnë rëndësinë e këtij investimi, i cili ju vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të zonës përfitues direkt por edhe zhvillimit të mëtejshëm të zonës.
- Analiza kosto-përfitim nga studimi i Fizibilitetit
Në bazë të studimit të fizibilitetit & projekt – idesë së kryer nga Shoqëria Konsulente rezulton se ndërtimi i këtij aksi rrugor është me leverdishmëri të madhe ekonomike dhe financiare.
- Lidhjen me rrugë nacionale të Qarkut të Korçës
Ky është një nga aspektet më të rëndësishme pasi do të shkurtonte dhe përmirësonte ndjeshëm distancat midis këtyre fshatrave të Bashkisë Devoll.
- Rritjen e zhvillimit bujqësor e blegtoral
Ndërtimi i këtij aksi rrugor do të ndikojë ndjeshëm në dhënien e një hovi të ri të zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë, të fshatrave të Bashkisë Devoll. Me ndërtimin e kësaj rruge fermerët do të kenë akses në tregun rajonal të Korçës. Në terma të përgjithshëm mund të themi se ndërtimi i këtij aksi rrugor do të sjellë një zhvillim shumë të madh të tregjeve rajonale bujqësore të Qarkut të Korçës.
- Zhvillimin e vrullshëm të turizmit
Ndërtimi i këtij segmenti do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e vrullshme të turizmit vendas dhe të huaj, konkretisht:
– Në shkurtimin e kohës dhe distancës me resurset atraktive turistike të terrenit malor
– Në krijimin e guidave apo shtigjeve turistike të ndryshme
– Do të nxisë dhe zhvillojë më shumë turizmin malor, lumor, liqenor, kulturor dhe historik që mbart në vete zona në Qarkun e Korçës.
Rruga Miras- Arrëz, për nga rëndësia dhe intesiteti parashikohet të jetë rrugë kryesisht per trafik të tonazhit të lehtë dhe të mesëm, por nga ana e Konsulentit janë marrë masa gjatë projektimit të shtresave rrugore në këtë fazë të projektit dhe për një trafik të rëndë të mundshëm, por me frekuencë të vogël kalimi pasi me ndërtimin e këtij aksi rrugor janë parashikuar dhe investime të tjera strategjike në zonë. Vlen për tu nënvizuar se gjatë inspektimeve në rrugën e marrë në studim, Grupi i Projektimit kreu dhe disa takime me përfaqësues të Institucioneve të Pushtetit Lokal. Këto të fundit kishin funksion informues nga ana e Konsulentit në lidhje me projektin në fjalë, si dhe në zhvillimin e diskutimeve me institucione/grupe interesi në projekt.