Marrëveshja për Financimin e Mbikëqyrjes së Punimeve Civile, për Programin e Ujësjellësave Ruralë IV.

Më 29/10/2020, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Znj. Anila Denaj, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Z.Dritan Agolli, Kryetari i Bashkisë Vlorë Z.Dritan Leli, Kryetari i Bashkisë Himarë Z.Jorgo Goro dhe Drejtori i Zyrës së KfW-së Tiranë  Z. Björn Thies nënshkruan marrëveshjen për  financimin e studimeve dhe punëve civile  të Programit të Ujësjellësave Rurale IV.

Financimi total i FUZR IV është 44 mln Euro, nga të cilat 42 mln Euro janë me financim nga Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pas grantit të parë, janë shtuar 2.22 milion euro nga Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Granti është bërë i mundur në sajë të kontributeve nga Donatorët Bilateralë në Fondin e Përbashkët të WBIF dhe do të shërbejë për mbikëqyrjen e punimeve. Programi FUZR IV përqëndrohet në furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimin  e ujërave  të ndotura në rajonin bregdetar të Himarës dhe Orikum. Objektivi i programit është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe krijimi i kushteve higjeno-sanitare përmes sistemit të kanalizimeve, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në zonat bregdetare.

Përveç burimit në fshatin Lepushë, i cili do të furnizojë Himarën me ujë të pijshëm, programi do të lehtësojë dhe ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë, duke ndërtuar rezervuarë të rinj uji, rrjet të ri të shpërndarjes së ujit dhe matës të rinj uji për familjet në fshatrat Kuç, Buronjë, Pilur, Kudhës, Vuno, Jalë, Livadh, Himarë, Himarë Fshat, Qeparo, Qeparo Fshat etj. Përfituesit e këtij programi janë afërsisht 50.000 banorë dhe vizitorë të cilët do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Projekti në kuadër të këtij programi është pothuajse i përfunduar dhe fondet shtesë nga WBIF do të jenë në shërbim të mbikqyrjes së punimeve dhe ndërtimit.

Gjithashtu do ti kushtohet një vëmendje e veçantë rehabilitimit dhe zgjerimit të rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimit të një impianti për trajtimin e ujërave të ndotura në Himarë. Në Orikum do të investohet në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, në kanalizime dhe në impiantin ekzistues të trajtimit të ujërave të ndotura i cili do të vihet në zbatim.

 

Në bashkëpunim me Republikën Federale Gjermane, për të siguruar 24 orë ujë të pijshëm në të gjithë vendin

Veprimtaria e KFW-së dhe bashkëpunimet financiare në Shqipëri

KfW është një nga bankat kryesore promovuese në botë. Në përvojën e saj shumë vjeçare, KfW është angazhuar për të përmirësuar kushtet ekonomike, sociale dhe ekologjike në gjithë botën në emër të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shteteve Federale.

Në Shqipëri, KfW-ja zbaton bashkëpunimin financiar gjerman dhe ofron ndihmë për grante dhe hua koncesionare për investime kryesore dhe shërbime konsulence të lidhura me projektet. Bashkëpunimi gjerman i zhvillimit me Shqipërinë filloi në vitin 1988. Që atëherë, Qeveria Gjermane ka dhënë më shumë se një miliard euro dhe është bërë vendi më i rëndësishëm dhurues dypalësh. Sektori i ujit shihet si një fushë prioritare nga Bashkëpunimi Financiar Gjerman për Shqipërinë, dhe Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 335 milionë euro që nga viti 1988.

Instrumenti i investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) është një instrument financimi që ka  filluar në dhjetor 2009 nga Komisioni Evropian, së bashku me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankën Evropiane të Investimeve (EIB ), Donatorë dypalësh dhe vende të Ballkanit Perëndimor që ofrojnë fonde për projekte strategjike në vendet përfituese. Mbështetja e WBIF është në përputhje me procesin e Zgjerimit të BE dhe synon të rrisë zhvillimin socio-ekonomik dhe të përshpejtojë ecurinë drejt pranimit në BE nëpërmjet përzierjes së granteve, huave dhe kontributeve përfitues për zhvillimin e infrastrukturës në mjedis, energji, transport, social, sektorët dixhital si dhe zhvillimin e sektorit privat. KfW dhe Banka Botërore më pas u bashkuan me WBIF. Në korrik 2017, KfW u bë një organizatë partnere ndërsa Agence Française de Développement (AFD) u bashkua me WBIF në Dhjetor 2018.

Deri në dhjetor 2018, kontributet dypalëshe të donatorëve arritën në 85 milionë euro, duke përfshirë 5.2 milionë euro të transferuara nga Fondi i Ballkanit Perëndimor i BERZH-it në fillimin e WBIF. Detyrimet më të mëdha individuale kumulative deri më sot janë bërë nga Norvegjia, Suedia, Austria, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.