Qytetarët dhe vizitorët për programin “Punët në komunitet IV”!
Tiranë- Krijimi i këtij raporti përmes pyetësorëve në Grupet e Fokusuara synon të vlerësojë ndikimin e programit “Punët në komunitet IV”, në zbatim nga FSHZH me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës (CEB) përmës grantit SDA.
Programi “Punët në komunitet IV” promovon zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik nëpërmjet ndërhyrjeve dhe investimeve të ndryshme gjatë periudhës 2015 – shtator 2020 në fushën e përmirësimit të infrastrukturës publike në zonën bregdetare Jugore, Alpet Shqiptare dhe zonat e tjera malore. Nëpërmjet këtij vlerësimi të kryer synohet pikërisht matja e ndikimit të këtij projekti në këto zona.
Analiza përfshin një hulumtim të të dhënave dytësore, të mbledhura kryesisht nga bashkitë si edhe të dhëna të tjera nga fushat përkatëse të investimeve të kryera. Më tej, u krye mbledhja e të dhënave të tjera parësore nëpërmjet një ankete me komunitetin në të cilën morën pjesë 1,200 banorë të zonave të Himarës, Mat (Ulzë), Pukë, Tropojë (Valbonë) dhe Malësi e Madhe (Tamarë); një anketë me biznesin, me 500 biznese formale dhe informale në Himarë, Vlorë, Malësi e Madhe, Tropojë dhe një anketë me turistët në të cilën morën pjesë 500 turistë në Tamarë, Valbonë, Lungomare, Pylli i Sodës, Himarë, Dhërmi dhe Vuno si dhe dymbëdhjetë (12) diskutime në grupe me banorët, bizneset dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Studimi është realizuar gjatë muajit korrik 2020, periudhë kjo gjatë së cilës Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, është përballuar me sfidat e pandemisë së COVID-19. Kjo situatë ka ndikuar në të gjithë ekonominë e vendit dhe lëvizjen e qytetarëve. Në këtë aspekt, për shkak të pandemisë është ulur ndjeshëm performanca financiare e bizneseve, qytetarët janë ndeshur me vështirësi ekonomike dhe turistët janë detyruar të shtyjnë shpenzimet e tyre të luksit, ku përfshihen edhe udhëtimet apo pushimet verore.
Një rezultat shumë i rëndësishëm nga të dhënat zyrtare është numri i turistëve, për shkak të burimit të të ardhurave që siguron për bizneset e zonës. Bazuar në të dhënat zyrtare, numri i turistëve në zonën e investimeve gjatë periudhës 2015-2019 është dyfishuar nga rreth 500 mijë në vitin 2015 në më shumë se 1 milion turistë në vitin 2019. Numri në rritje i turistëve dhe biznesve me natyrë akomoduese shprehin në një farë mënyre rritje të intensifikimit të aktiviteteve të lidhur me turizmin, dhe njëkohësisht tregon për rritje të ofertës turistike në këto zona.
Të dhënat administrative për numrin e të papunëve të regjistruar tregojnë një rënie me 67% në zonën e investimit. Punëkërkuesit me pagesë papunësie kanë rënë në masën 68% dhe punëkërkuesit afatgjatë kanë rënë me 60%. Gjithashtu, numri i familjeve me ndihmë ekonomike në zonat e investimit ka ardhur në rënie gjatë periudhës 2015-2019, me një ulje rreth 25% dhe përqindja e tyre në raport me familjet gjithsej që jetojnë në zonat e investimit ka rënë nga 7% në vitin 2015 në 5% në vitin 2019.
Anketa në komunitet u krye me familje të cilat kishin të paktën katër vite që ishin banorë të zonës në mënyrë që të kishin mundësi të përgjigjen për pyetjet në retrospektivë për kryerjen e analizës krahasimore. Në përgjithësi studimi tregon se ka një përmirësim të dukshëm lidhur me kushtet e jetesës, krahasimisht katër vite më parë.
Rezultatet nga të dhënat e anketës së biznesit treguan se zhvillimi i bizneseve gjatë harkut kohor të 5 viteve të fundit ka njohur një shtim të numrit të bizneseve në zonat përkatëse ku janë bërë investimet (41% e bizneseve të anketuara janë hapur në këtë periudhë).
Qëllimi i anketës së turistëve ishte eksplorimi i eksperiencës nga 500 turistë, të cilët kanë vizituar zonat në interes të projektit dhe për të marrë informacion të vlefshëm për karakteristikat e qëndrimit në zonat përkatëse.
Arsyet kryesore të ardhjes në zonën specifike për qëllime turistike ishin bukuria e zonës (96%), e ndjekur nga vendndodhja dhe aksesueshmëria e saj (77%). Përkatësisht rreth 44% dhe 42% përmendën rekomandimet dhe çmimet si faktorë motivues të ardhjes në zonë.
Në përgjithësi, gjetjet treguan se pothuajse të gjithë pjesëmarrësit të grupet e fokusuara njohën ndikimin pozitiv të investimeve të kryera nga FSHZH në zonën e tyre për qytetarët, turizmin si dhe për bizneset që lidheshin me turizmin. Përgjithësisht ata ishin të kënaqur me rezultatet. Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit kishin njohuri dhe mund të përmendnin pjesën më të madhe të investimeve të kryera në zonë dhe mendonin se ato kishin ofruar përfitime për të gjithë qytetarët në bashki si dhe për vizitorët. Ata ndanin një besim të përbashkët që investimet do të kenë një ndikim afatgjatë në zonë dhe sidomos në turizëm.