“Në qafën e Pazarit pesë rrugë janë takuar… “ Gjirokastër
“Mu në qafën e Pazarit pesë rrugë janë takuar, oh sa bukur që të pesta me qilima janë shtruar. Thonë njerëzit me habi -Ç’janë këto qilima guri? Të qëndisur bardhë e zi, -Vallë ç’avlemend i thuri?”
Ky përshkrim në vargjet e Tasim Gjokutaj është dhe pamja që do të gjeni sapo të hyni në zonën historike të njohur si “Qafa e Pazarit”. Qendër tradite që bën bashkë vizitorë nga e gjithë bota, një nga lagjet më të vjetra të qytetit, Pazari 500 – vjeçar është kthyer në një nga vendet më tërheqëse për shkak të arkitekturës së rrallë që mbart. Pikërisht në këtë zonë, me një kujdes milimetrik në kalldrëm, që i shkon për shtat dhe fasadave rinovuar pa prekur identitetin e zonës nga AADF, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kryer punimet “Për rikualifikimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit”.
Me financim të Bankës Botërore dhe në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” u ndërtua totalisht nga e para rrjeti inxhinierik nëntokësor, duke vijuar me restaurimin e 6,000 metrave katrorë kalldrëme dhe rehabilitimin e mbi 900 metrave katrorë hapësira publike. Që në momentin e parë, vendosja e traut që lejon vetëm këmbësorë paralajmëron në mënyrë simbolike shkëputjen nga jeta moderne urbane, në një zonë që duket se ka “ngrirë në histori”. Objekte, ndërtesa, produkte të cilat brezi i ri mund ti kenë njohur përmes fotove në kohë mbushin hapësirën dhe prezantojnë një periudhë të rëndësishme të identitetit të zonës.
Mund të imagjinoni që në një hapësirë ku asnjëherë më parë nuk ishin kryer procedura të ngjashme, skepticizmi ka qenë i lartë. Vetë banorët, disa prej tyre ndër më mosbesuesit rrëfejnë “frikën se do të prishej kalldrëmi apo banesat do t”i bënin moderne.” “Me thënë të drejtën në fillim u duk rrëmujë. Merakun e kishim, unë u detyrova të mbyll përkohësisht biznesin, pasi po punohej para derës. Situatë e përkohshme kjo, po punimeve ju kishte ardhur koha se asnjëherë nuk ishte vënë dorë më parë. I hapën të gjithë kanalizimet deri në fund dhe i sistemuan. Pastaj mjeshtrat e Korçës janë të parët për kalldrëme. Ecën dhe nuk e ndjen hapin. E kanë latuar gurin pëllëmbë për pëllëmbë. Fatmirësisht kemi lëvizje dhe turizëm. Ka raste mbarojnë plazhin në Sarandë e kthehen. Të huajt kanë lexuar për këtë e vijnë ta shohin nga afër. “Biznes lokal”
Kjo gjë mund të kuptohet lehtësisht në një xhiro të vetme, ku mund të shohësh se produktet që shiten kanë etiketa në dy gjuhë shqip dhe anglisht. Sot në fakt bizneset dhe banorët janë falënderues, pasi dëshmojnë një model të ri projekti që ka integruar në një trup të vetëm, të gjithë elementët përbërës të Qafës së Pazarit dhe i ka dhënë një shtysë zhvillimit të bareve, restoranteve, dyqaneve të suvenirëve dhe strukturave të hotelerisë së zonës. Numri i vizitorëve ka ardhur në rritje dhe ka sjellë domosdoshmëri për kushte akomoduese bashkëkohore. Këta të fundit që vijnë me një shpërndarje gjeografike në të gjithë globin, pasi eksplorojnë rrugicat e kalldrëmta shprehen se: “Diçka të ngjashme nuk e gjen në vend tjetër. Ka shumë stil kjo zonë. Mund të gjesh të gjitha shërbimet që kërkon dhe çdo objekt ka historinë e tij për të treguar. Na pëlqen shumë njëtrajtshmëria e ndërtesave dhe fakti se të gjitha kalimet mblidhen këtu dhe shpërndahen më pas, në të gjithë qytetin. Gjithashtu mund të them se kemi blerë gjëra të veçanta këtu në Pazar. Shqipëria ka vende mjaft të bukura dhe unike. Turist
Pas shëtitjes gjatë ditës, buzëmbremje nën ndriçimin e duhur rrugicat marrin një pamje gati gati mistike. Jehona e gojëdhënave dhe legjendave duket se vërtitet nga njëra bujtinë në tjetrën, autoktone. Duke të dhënë mundësinë “të marrësh shijen” e një qyteti muze që qëndron fort pavarësisht epokave moderne që e ndjekin pas.