Tiranë- Nga qyteti i trëndafilave dhe glikove tradicionale, e tek qyteti muze i “Një mbi një dritareve” shtrihen ndër mijëvjeçarë qytetërime, legjenda, tradita e vlera mikpritjeje, që “valët moderne në kohë” fatmirësisht nuk i kanë formatuar dot.

Me financim nga Banka Botërore dhe në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, “Rigjenerimi i Intregruar Urban” në Përmet dhe Berat janë dy nga ndërhyrjet në kuadër të programit për “Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin – PZHIUT.”

Propozimet e paraqitura synojnë që të përmirësohet lidhja dhe aksesi mes lagjeve historike Mangalem dhe Goricë, me zonën përgjatë lumit Osum dhe hapësirat urbane rrotull Pallatit të Kulturës, Bibliotekës së Qytetit dhe shesheve. Ndërkohë në Përmet synohet rehabilitimi i pamjeve panoramike të rrugëve të qytetit modern; rehabilitimi i zonës Guri i Qytetit; zhvillimi i një shtegu këmbësor në bregun lindor të Vjosës, ndërhyrje në lagjen historike dhe përmirësimi i aksesit për në Kishën e Leusës.

Investimi nuk ngelet këtu. Në të njëjtin drejtim përmes “Infrastrukturës Vendore Rajonale” po punohet dhe për projektin “Rikonstruksioni i rrugëve të brendshme të kalasë Ali Pashë Tepelena, vazhdimi i Shëtitores përgjatë Hyrjes së Kalasë, Loti II dhe rehabilitimi i hapësirave përreth kalasë”, në mbrojtje të një prej objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe integrimin e zonës përreth saj.