Tamarë, rinovimi i stacionit turistik malor!
Tiranë- Është fundjavë dhe ke vendosur të shkëputesh sikur të paktën një ditë nga rutina e qytetit tënd, punë-shtëpi-kafe e hallet e përditshme? Nëse po konsideron veriun, e di që menjëherë do të shkojë mendja të lëvizesh për në Theth, Valbonë, Vermosh dhe me të drejtë, pasi këto vende janë një “përrallë e moçme” në ditët moderne. Më lejo një sugjerim, një stacion në veri që është afër dhe me një klimë të butë.
Tamara, vetëm një orë larg qytetit të Shkodrës. Tashmë arrin shpejt përmes rrugës Shkodër -Vermosh, që u rikonstruktua tërësisht në kuadër të programit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe financuar nga një numër partnerësh të huaj. Rrugës mos harro të ndalosh te ballkoni panoramik dhe të shijosh pamjen e “kthesave të famshme”, Leqet e Hotit. Më beso, panorama është kaq mbresëlënëse, sa edhe pas 1000 shkrepjesh nuk do kënaqesh me rezultatin.
Në zbritje të tyre, punë minutash dhe ke arritur. Tamara është një fshat në komunën Kelmend, në rrethin e Malësisë së Madhe të Shqipërisë. Një ndalesë modeste, por me shumë shije dhe traditë. Nëse ke kaluar me herët dhe të ka ngelur në mendje, pamja e shëmtuar e një rruge kaotike që kalonte mes për mes shtëpive, (të cilat mbytur nga pluhuri nuk kishin krye), do të surprizohesh tani. Siç vetë banorët rikujtojnë:
“Më përpara pluhur, nuk shihej me sy as nga ne që jetonim këtu. S’bëhej fjalë të ndalonte njeri, e për çfarë?! Tani shiko gjithë kjo hapësirë. E kanë shtruar, na kanë rregulluar dhe çatitë për dimër. Ky pallati në të djathtë ?!- thosha bie sot, bie nesër. Tani se gjen më gjë atë.” Banor i zonës
Me një të shkuar për të mos u përsëritur më, sot gjen vizitorë që shëtisin në pedonale paralel me lumin. E nëse ajri i pastër të ka ngacmuar urinë, në restorantet aty pranë mund të shijosh gatimet tradicionale në sfondin e panoramës piktoreske. Në orët e mesditës, veçanërisht do të hasësh turistë nga vende të ndryshme, të cilët shprehen:
“Kjo është bërë një ndalesë shumë e domosdoshme. Ditën tjetër do të shkojmë në Lëpushë, e më tej në veri. Më parë për hir të së vërtetës, nuk e njihnim si qytezë. Vazhdonim lart me makinë se nuk ka patur asgjë. Klima është malore, por e butë dhe ushqimi shumë i shijshëm.” TuristPunimet e fazës së dytë për “Rehabilitimin e qendrës Tamarë” me financim të CEB, WBIF dhe Qeverisë Shqiptare kanë përfunduar me të gjithë elementët dhe rinovimi është mëse i dukshëm në:
- 1300 m2 veshje fasadë me gurë, uniformitetin e secilës e vë re që larg dhe duket se të njofton mbërritjen në zonë,
- 1.100 m2 ndërtim i çative dhe 1000 m2 shtrim i sheshit me gurë (pedonalja),
- Si dhe rikonstruksionin e plotë të “Shkollës së Bashkuar Nike Mercanaj”, Tamarë.
Dhe jo vetëm. Pjesë e këtij projekti ka qenë dhe “Rikontruksioni i rrugës Vermosh-Doganë” si dhe “Rikontruksioni i urës mbi përroin e Budacit”.
Mungesa e një rruge e kishte izoluar Vermoshin ku aktualisht po punohet edhe për qendrën e re të turizmit. Ashtu si në rastin e Tamarës, pritet që investimet të sjellin impakt në nxitjen e vizitave për qëllime turistike, e rrjedhimisht në rritjen e bizneseve familjare dhe lokale. Në Tamarë një restorant, në qendër të shëtitores është hapur vetëm para 6 muajsh.
Të zotët konfirmojnë se ndryshimet e fundit i nxitën të investojnë për një ambient që ofron gatime tradicionale, me pamje nga lumi dhe një atmosferë të vërtetë familjare.
“Jemi mjaft të kënaqur qëkur e kemi hapur. Me pedonalen e re janë shtuar lëvizjet. Edhe pse shkojnë për të qëndruar në Vermosh po përpiqemi t’i bëjmë të kthehen këtu. Më së shumti ka të huaj, po dhe ju nga “qytetet e mëdha” keni filluar të dilni.” Biznes lokalTeksa dalim jashtë rrezet e forta të diellit reflektojnë në gurët e bardhë të shtruar në pedonale dhe e bukura Tamarë merr një pamje të mrekullueshme. Kështu që në fundjavën që vjen, mos u shqetëso për vapën e madhe. “Me temperatura të freskëta” dhe ajër të pastër shpenzo një fundjavë në natyrë, së bashku me familjen. Na falëndero më vonë!