Kantierët që do të lidhin Tepelenë – Himarë!
Tiranë- 3 kantierë pune, nën Malet krenare të Labërisë (1. Seg III i Rrugës së Lumit të Vlorës dhe 2. Gusmar – Kuç 3. Bençë – Lekdush) do të sjellin pranë vizitorëve vendas e të huaj, zona mbresëlënese të natyrës së vendit tonë. Punimet vijojnë me ritme të larta në secilën prej tyre, për të përmbushur me përpikmëri kushtet e projekteve me standardet më bashkëkohore dhe për ta vënë sa më shpejt në dispozicion të qytetarëve.
Zona “që më herët janë rrahur” më së shumti nga alpinistë kuriozë e guximtarë do të zbulohen për të gjithë publikun, përmes krijimit të aksesit mes maleve dhe në kohë të shkurtër për automjetet dhe këmbësorë. Loti III zbret deri në Qeparo dhe lidhet me rrugën e Bregut. Në gjatësi investimi 24 km ka edhe një degëzim që e lidh me Kuçin dhe do të ketë edhe një degëzim tjetër, një rrugë e re që do të bëjë lidhjen e Tepelenës me rrugën e Lumit të Vlorës. Pra, është rruga Kuç-Gusmar dhe Lekdush-Bençë. Të dyja janë investime që do t’i japin jetë lidhjes së turizmit bregdetar me atë malor.
Gjithashtu rruga Gusmar – Kuç lidh njëra pas tjetrës fshatrat nga Progonat, Gusmar, Kuç. Segmenti rrugor fillon në dalje të fshatit Kuç (në zonën e quajtur Buronjat) dhe vazhdon përgjatë lumit Kuç, lumit Habilaj dhe lumit Kasemi. Këto ndërhyrje sjellin një kombinim midis ndalesave në destinacionet historike e kulturore të Gjirokastrës e Tepelenës që do të pasojnë me bregdetin e bukur jonian. Zhvillim i cili nuk do të ngelet vetëm në industrinë e turizmit, por edhe në atë bujqësor e blegtoral. Kjo pasi do t’u japë fermerëve mundësinë për të nxjerrë më lehtë dhe shpejt produktet e tyre bio në zonën e Bregut.
Shfrytëzimi përgjatë gjithë vitit, për shkak të klimës do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e ekonomisë lokale, duke nxitur iniciativa afatgjata dhe premtuese në agroturizëm. Prej transformimit të shtëpive të vjetra në bujtina apo ndërtimin e strukturave hoteliere rurale janë disa nga planet paraprake të banorëve apo sipërmarrësve që do të vihen në zbatim me përfundimin e këtyre “kalimeve turistike” në zonën e jugut.