Tiranë- Fondi Shqiptar i Zhvillimit vijon të mbështesë dhe asistojë Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe komunitetet përkatëse, për rehabilitimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, si një domosdoshmëri për zhvillimin e industrisë së turizmit. Asistenca teknike është e vyer në zhvillimin e kapaciteteve për të zbatuar Planet Lokale. Projektet gjithashtu synojnë përfshirjen e banorëve të zonës si përfitues direkt dhe krijimin e mekanizmave vetjake, për të vënë në veprim ekonominë lokale. Ky është dhe qëllimi në një nga programet e shumtë që FSHZH zbaton në kuadër të turizmit, siç është “Rrugët Lidhëse Rajonale”. Projekti për rikonstruksionin e rrugës Pogradec – Tushemisht konsiston në rikonstruksionin e rrugës që fillon në qytetin Pogradec (Rr. E Drilonit) dhe mbaron tek kthesa e Drilonit në një gjatësi investimi prej 3.6 km.

Punimet kryesore përfshijnë: rikonstruksionin e shtresave rrugore, sistemimin e kanalizimeve dhe drenazhimit, zëvëndësimin e tombinove, veshjen e kanaleve me beton, zëvendësimin e mureve rrethuese, trotuar, korsi biçkletash. Gjatë këtyre ditëve rruga i është nënshtruar procesit të asfaltimit, për të lehtësuar qarkullimin e vizitorëve drejt siteve turistike. Nëse ende nuk ke qenë në Parkun e Drilonit apo në Tushemisht, tashmë do të të duhet shumë më pak kohë. Gjatë rrugës mund të soditësh natyrën e të sugjerojmë të ndalosh për të blerë produkte bio që banorët nxjerrin çdo ditë, duke kontribuar në rimëkëmbjen e ekonomisë vendase.