Informacion dhe destinacione-Ersekë
Unë rri në shtëpi!
Në këto ditë kujdesi, vigjilence dhe durimi të shtuar le të takohemi këtu virtualisht, për të lexuar disa informacione interesante, mbi destinacione në vendin tonë.
Tradita, kultura e fotografia në qytetin modest të Ersekës!
Erseka është një qytet në rrethin e Kolonjës – qarku Korçë. Qyteti ndodhet në juglindje të Shqipërisë i vendosur mbi Pllajën e Kolonjës e përballë Malit të Gramozit.
Ai është një nga 8 njësitë administrative të bashkisë Kolonjë, e cila përbëhet dhe nga: Qendër Ersekë, Leksovik, Qendër Leksovik, Novoselë, Barmash, Mollas dhe Çlirim.
Vendasit e ruajnë traditën në bujtinat që mirëpresin vizitorë dhe në ushqimet tipike të zonës, për të dhënë një experiencë të kulturës së mirë ruajtur në kohë.
E di që më shpesh kohët e fundit, keni qenë në Korçë apo Shkodër. Fundjavën tjetër konsidero të shkosh në Ersekë. Do të gjeni ajrin e pastër, parqe e pedonale për familjet, e muze që ruajnë me fanatizëm figurat e shquara shqiptare, qytetarët kolonjarë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës si: Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Sevasti Qiriazi, Parashqevi Qiriazi, Jani Vreto, etj.
Si dhe laboratorin fotografik të Dhimitër Vangjeli, pasurim i identitetit dhe historisë së fotografisë shqiptare.Pasioni që shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke dokumentuar momente dhe përjetësuar realitete të hershme në ditët e sotme.
Me vëmendje të shtuar, në mbështetje të qyteteve shqiptare dhe ato çfarë secili prej tyre përfaqëson Fondi Shqiptar i Zhvillimit është në zbatim e sipër të përmirësimit të infrastrukturës në këtë qytet.
Zona e trajtuar shtrihet në hyrje të qytetit të Ersekës, në pjesën veriore të tij dhe kufizohet në veri me agjencinë e transportit ndërqytetas dhe në jug me bllokun nr. 3.
Fokus dhe për rivitalizimin e Parkut “Rinia”, duke krijuar hapësira çlodhëse dhe argëtuese dhe shtuar sipërfaqet e gjelbërta në qytet; rikonstruksionin e tre rrugëve “Fan Noli”, “Mehmet Pepi”, “Ahmet Bektashi” që kufizojnë parkun dhe bllokun.
Janë përfshirë ndërtim trotuari, ndriçim rrugor, rehabilitimin e fasadave dhe suvatim, ndërtimin e çative të katër banesave kolektive, ndërtimin e parkingjeve në hapësirat e lira midis banesave.
Në total projekti në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit parashikon:
✅Rivitalizimin e 20,000 m² sipërfaqe urbane,
✅Punime shtresash rrugore dhe trotuaresh,
✅Rehabilitim fasadash dhe ndërtim çatish për 4 godina,
✅Rivitalizimi i Parkut “Rinia” dhe ndërtim parkingjesh.