Informacion dhe destinacione-Konispol
Unë rri në shtëpi!
Në këto ditë kujdesi, vigjilence dhe durimi të shtuar le të takohemi këtu virtualisht, për të lexuar disa informacione interesante, mbi destinacione në vendin tonë.
Prej gati një dekade, festa e mandarinës në Konispol!
Skaji më jugor i vendit tonë ndër vite ka krijuar ritualet dhe traditat e tij bazuar në produktet që kultivojnë. Agroturizmi duket se është modeli që po nxit ekonominë rurale. Nëse pyet banorët e Konispolit dy janë “florinjtë” e zonës : ullinjtë dhe mandarinat. Zona për shkak të klimës ka krijuar kushtet e përshtatshme për pasurinë e tyre natyrore dhe kufiri prej pak minutash me shtetin fqinjë Greqinë, e ka kthyer në një pikë grumbullimi për ti eksportuar tonelatat me mandarinë. Kështu prej vitesh në Xarrë-bashkia Konsipol zhvillohet festa e mandarinës. Në lashtësi këto lloj festimesh shpesh thuhej se falënderonin zotat dhe nxisnin pjellorinë e tokës.
E tashmë për hir tradite që vazhdon dhe feston këto kultivime, kjo festë është dhe një mjet i mirë marketimi, që reklamon prodhimin e bollshëm dhe bio si dhe afron turistë në një traditë dhe eksperiencë të re. Përveç banorëve dhe fermerëve, shumë të ftuar të tjerë shqiptarë të huaj, bëhen bashkë dhe festojnë sezonin e vjeljes së mandarinave. Ky aktivitet ndërthuret me shumë aktivitetë për fëmijë (gara, kërcime), panair me produktet lokale, vizita në plantacione dhe fabrika të përpunimit, shijim i ushqimeve tradicionale etj.
Fshati Xarrë ka mbi 85 mijë pemë agrume, nga të cilat 75 mijë janë mandarina.
E në festën e radhës FSHZH kontribuon përmes përmirësimit dhe rikonstruksionit të plotë të Unazës Ekonomike Konispol, në kuadër të projektit zhvillimor “Përmirësimi i Infrastrukturës Rrugore në funksion të Zhvillimit të Turizmit dhe Agroturizmit në Rajonin 4”. Ndërhyrja synon të lehtësojë transportin e agrumeve drejt tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Si dhe krijimin e mundësive të reja investimi në bujqësi dhe sektorët përkatës të përpunimit në zonë.