“Belshi duhet të jetë kryeqytet” – Sami Frashëri
Tiranë-Ky ishte projeksioni i hershëm i Rilindasit Sami Frashëri, bustin në nder të të cilit do ta hasësh sapo të mbërrish në qendër të shëtitores kryesore. Në qytezën e Belshit, liqeni me të njëjtin emër pasqyron në ujë panoramën natyrore që e rrethon dhe duket se koha po sinjalizon për një pranverë të hershme. Në ditë jave nuk kursehen shëtitjet e vendasve dhe vizitorëve të huaj, e në fundjavë kthehet në një pikë takimi për të gjithë qytetet, jo vetëm kombëtare. Mbase propozimi i Rilindasit Frashëri nuk bazohej vetëm në pozicionin e mirë gjeografik (“si kërthiza e Shqipërisë”) për klimën, aksesin por edhe mikëpritjen dhe traditën e një zone të pasur si Dumrea me kryeqendrën e saj.
Aktualisht përballë kafeneve dhe bizneseve që janë shtuar në numër e rrjedhimisht në konkurrencë, për të përballuar fluksin e lëvizjeve ka përfunduar dhe faza e III e ndërhyrjeve, me financim nga Qeveria Shqiptare.
Ndërhyrje që kanë startuar prej; rikonstruksionit të rrugës hyrëse (700 m), kullës panoramike (nga vetë emri), për tju dhënë të gjithë mundësinë që syri dhe aparati të fiksojë pamjet më të bukura, pedonales dhe korsisë së biçikletave (në gjatësi investimi 1.4 km) dhe sipërfaqes rreth 10.000 m2 që është punuar në të gjithë elementët e arredimit urban, punime gjelbërimi dhe ndriçimi përgjatë gjithë vijës. Për këtë të fundit në mbrëmje do të kuptosh rëndësinë estetike dhe të domosdoshme që është krijuar, duke kornizuar qytezën nga çdo kënd që mund ta shohësh. Pedonalja e re lidhet përmes një urë me pjesën tjetër të qytezës, ku fillojnë menjëherë biznese të ndryshme; kafene restorante, pastiçeri etj, të cilat vitin e fundit janë krijuar rishtas. Më e reja ndër to është ajo e shëtitjes me varkë në liqen.Siç na rrëfen dhe një prej kamarierëve të një bar-kafe, i cili tregon se janë të hershëm në këtë biznes, në zonë.
“Këto lokalet që sheh nga dy anët, tani janë hapur. S’ka patur fare këtu. Përpara ka qenë e gjitha, e pashtruar. Andej përballë (teksa shenjon për nga pedonalja) nuk shkelte njeri-thjesht tokë. E në mbrëmje as pamje asgjë. Errësirë! Për turizmin tani është shumë mire ka lëvizje. Fillojnë kalamajtë e të huajt me biçikletë nga ana përballë e ndalojnë në lokal, për ndonjë freskuese. Në fundjavë pastaj realisht nuk kemi tavolina bosh, sidomos kur është koha xham si sot”.
Turistët gjejnë dhe produkte bio nga Dumrea dhe nuk largohen pa provuar çajin e shafranit, që reklamohet në xhama.
Ndërkohë, në tavolinën fare pranë komunikojme dhe me një familje:
“Keni bërë punë të bukur, unë jam vendali këtu nga Peqini. Ju jeni të reja, po vendi ka qenë shumë ndryshe, për keq. Tani kam sjellë miqtë e mi nga Maqedonia”. Këta të fundit shprehen se ju pëlqen shumë – “ambienti familjar dhe me hapësirë për fëmijët e vegjël”.
Fëmijët të cilët i ishin bashkuar një tjetër grupi vendas, ku njëri prej tyre dëgjohet të thotë: “50 lekë, gjysëm orë xhiro me biçikletë, deri në fund të vijës”- duke mos e lëshuar pa një negociatë te vlefshme timonin e biçikletës. Mesa duke kanë gjetur hapësirën e re nga e cila “mund të përfitojnë” duke ja ditur vlerën pedonales edhe më shumë.E për të rriturit ndërkohë, punimet në hapësirën rreth 10.000 m2 kanë sjellë benefit me kalimin e kohës. Janë disa toka buzë liqenit, për të cilat deri dje nuk ishte interesuar askush. Sa mendoni ju ka shkuar vlera sot?
“100 mln lekë/ dynym” – tregon një prej banorëve, në shtëpinë pranë lodrave të vendosura rishtas. Më tej vijon: “Deri dje s’pyeste njeri, e sot më kërkon tokën të ndërtojë hotel”.
Mjafton një shëtitje në pak minuta, e historitë që mund të dëgjosh janë nga më personalet e më të shumëllojshmet. Përmirësimi i hapësirave urbane, infrastrukturës, etj i ndikon njerëzit në përditshmërinë e tyre, duke ndryshuar rrënjësisht në rritje aspektin ekonomik e social.