Nga Jugu në Veri!

Tiranë- Bashkia Konispol ndodhet në cepin më jugor të qarkut, rreth 30 km nga Bashkia e Sarandës. Ajo kufizohet në jug me kufirin shtetëror të Greqisë, në lindje me bashkinë Finiq dhe në perëndim me detin Jon. Mendohet se emri i qytetit vjen nga vendbanimi i hershëm përbri Cukës së Shqiponjës, një kodër në formën e konit, Konispoli = qyteti te koni.
Zona në të cilën përfshihet projekti është zonë kodrinore dhe pjesërisht e thyer. Baza e ekonomisë për rrethinat dhe qytetin është bujqësia, por në rajon po rritet dhe industria e përpunimit të ushqimit, duke shfrytëzuar mundësine që jep prodhimi i frutave, perimeve dhe nëprodukteve blegtorale. Në mbështetje të zhvillimit ekonomik lokal, me financim të Qeverisë Shqiptare po vijojnë punimet për “Rehabilitimin e Unazës Ekonomike të bashkisë Konispol, LOTI II”, në kuadër të projektit zhvillimor “Përmirësimi i Infrastrukturës Rrugore në funksion të Zhvillimit të Turizmit dhe Agroturizmit në Rajonin 4”. Ndërhyrje që synon të lehtësojë transportin e agrumeve drejt tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo do të sjellë një seri mundësi investimesh të reja ekonomike, dhe në sektorët përkatës të përpunimit e shërbimeve në zonë.