Pas Valbonës, qendra e turizmit në Vermosh!
Tiranë- Vermoshi është pjesë e Njësisë Administrative Kelmend, brenda kufirit të Parkut të Alpeve dhe aksesohet nëpërmjet Tamarës me rrugë automobilistike. Ky lokalitet shërben si zonë hyrëse për flukset turistike ndërkombëtare që vijnë nga Mali i Zi. Ai karakterizohet nga arkitektura tipike e malësisë së Kelmendit. Banesat janë të shpërndara dhe aktualisht nuk ka një qendër të konsoliduar të vendbanimeve. Në lokalitet gjenden pasuri natyrore, si dhe gjurmë të ngjarjeve historike. Ruajtja e vlerave natyrore dhe kulturore është primare për këtë zonë. Zona ka vlera të larta mjedisore dhe ndërhyrjet duhet të jenë të mirë orientuara në mbrojtjen e tyre.
Në këtë kuadër Fondi Shqiptar i Zhvillimit nëpërmjet programit “Punët në Komunitet IV”, po zbaton projektin, për Rikualifikimin Urban dhe ndërtimin e Qendrës së Turizmit në Vermosh.
Në të parashikohet të ndërtohet:
- qendra e informacionit për vizitorët vendas dhe të huaj,
- qendra akomodimi,
të cilat do të ndiqen dhe nga:
- punime civile dhe ndërtimi,
- mbrojtje e bankinave lumore, pasi në Vermosh kalon dhe lumi që mban të njëjtin emër.
- ndërtim rruge aksesi,
- si dhe mobilim urban.
Kjo zonë ofron mundësi të shumta si;
o Turizmi i ecjes në natyrë dhe alpinizmit (hiking, trekking);
o Turizmi i parqeve dhe zonave të mbrojtura; (vizita në monumente të natyrës – gjeomonumente, ujëvara, kanione, pyje, lumenj, përrenj, shpella, korridore të gjelbër; piknik; shëtitje me ski, slita etj)
o Agroturizmi / Turizmi i fermave bujqësore; (vizita në ferma bujqësore, blegtorale dhe baxho; degustim i produkteve lokale; pjesëmarrja në aktivitetet e fermës; korrja dhe mbledhje e produkteve bujqësore lokale)
o Turizmi i gastronomisë dhe produkteve lokale; (Frekuentimi i bareve dhe restoranteve me ushqime dhe pije lokale; blerje e produkteve lokale; mësimi i proceseve të përpunimit dhe përgatitjes të specialiteteve lokale etj.)
Pozicionimi i rajonit të Alpeve Shqiptare, si pjesë e Alpeve Ballkanike dhe vlerat që ky rajon mbart janë disa nga elementët më të fuqishëm që kanë ndikuar në formulimin e orientimeve strategjike, në raport me ofertën turistike.