Tiranë-  Arkitektura tradicionale ka një vlerë të veçantë turistike, sepse ajo tregon ndërtimin individual, i cili është autentik, origjinal dhe i rrallë. Shtëpitë tradicionale, objektet e shërbimeve publike dhe ato të kultit janë shumë të rëndësishme në turizmin e zonave rurale malore në Alpet Shqiptare. 

Të cilësuara dhe si “arkitekturë pa arkitektë “ objektet e ndërtuara në veri u janë përshtatur kushteve natyrore, historike me një identitet të theksuar etnik.
Këto ndërtime paraqiten dhe si forma më e mirë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

 

Në këtë kuadër investimet publike në infrastrukturë lehtësojnë aksesin e vizitorëve/turistëve në këto “ndërtime spontane”, duke mundësuar përmirësimin e standardeve të jetesës, standardeve të banimit si pasojë e rritjes së ekonomisë lokale.
Ju sugjerojmë të vizitoni njërën prej shtëpive/bujtinave. “Historia e bjeshkëve të namuna” ruhet me fanatizëm në secilën prej tyre