Zgjidhje e qëndrueshme e furnizimit me ujë për banorët e Grabianit
Tiranë- Fshati Grabian është qendra e Njësisë Administrative me të njëjtin emër, e cila ndodhet në Perëndim të qytetit të Lushnjes dhe Fushës së Myzeqesë.Më herët ky fshat nuk kishte një ujësjellës për të furnizuar banorët me ujë të pijshëm. Mungesa e këtij rrjeti vështirësonte kushtet bazë të jetesës si dhe prodhimin e produkteve bujqësore e blegtorale. Me financim të Qeverisë Shqiptare është në proces pune, ndërtimi i Depos si dhe i rrjetit shpërndarës të Ujësjellësit të Grabianit. Deri më tani kanë përfunduar puset nr. 1, 2,3 e 4 vendosja e pompave zhytëse, me instalimet përkatëse dhe janë kryer analizat e ujit për të 4 puset tek instituti i Shëndetit Publik.
Në stacionin e pompave janë ndërtuar themelet, muret në lartësi, shtresat e zhavorrit e betonit në dysheme dhe soleta monolite e godinës.
Në ditët në vazhdim do të bëhet betonimi i soletës së depos 75 m3, ndërtimi i pusetave në linjën e transmetimit, si dhe ndërtimi i linjave në rrjetin e brendshëm.Në kuadër të programit “Investime prioritare me Impakt të Lartë në Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit”, kjo ndërhyrje synon përmirësimin e kushteve të jetesës të banorëve të zonës si dhe mirëmbajtjen e nxitjen e zhvillimit të sektorit bujqësor e blegtoral.