Konsultim me Grupet e Interesit – “Rigjenerimi i Integruar Urban”, qyteti i Përmetit
Tiranë- Në ambientet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, më datë 21 janar u zhvillua një takim mbi projektin e “Rigjenerimit të Integruar Urban” me fokus qytetin e Përmetit.
Qëllimi i të cilit ishte diskutimi dhe konsultimi i zgjidhjeve teknike të detajuara, për projekt investimet që do të financohen në bashkinë Përmet, me praninë e përfaqësuesve të kësaj bashkie, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit si agjencia zbatuese e këtij programi investimesh në bashkëpunim me bashkinë Përmet dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, ka realizuar një sërë konsultimesh, fillimisht me operatorët lokal teknik dhe me publikun në çdo fazë konsulence.
Këto të fundit me synim realizimin e investimeve, në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës urbane të qytetit; (tashmë të amortizuar – rrugë, hapësira publike, gjelbërim, mobilim urban, infrastrukturë informuese, etj.)
Me financim nga Banka Botërore, “Rigjenerimi i Intregruar Urban” zhvillohet në kuadër të projektit “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turistik – PZHIUT” ku do të përfshihen projekt investimet, si më poshtë:- Rigjenerimi Urban i Qendrës Historike,
- Rehabilitimi i shpateve të kanalit të Përroit të Bardhë,
- Rehabilitimi i hapësirave publike, zgjatimit të bulevardit dhe rrugëve qendrore në qytet,
- Sinjalistika turistike dhe Interpretimi.
Duke ofruar dhe nxitur mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë lokale, nëpërmjet prezantimit dhe aksesit të përmirësuar, mbi atraksionet turistike të zonës për vizitorët vendas e të huaj.
I njëjti projekt parashikohet të zhvillohet dhe ne qytetin e Beratit.