“Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije ndërhyrjet e reja që po fillojnë “të marrin jetë”, në Shqipëri nga veriu në jug.
Projekte të cilat kanë qëllim primar të jenë në shërbim të komunitetit dhe të mbulojnë një sërë drejtimesh kryesore në vend si: infrastrukturë, turizëm, ekonomi lokale dhe kombëtare, partnership, zhvillim urban dhe përfitime sociale.”

Konkretisht:
Kanë filluar punimet për “Unazën e qytetit Bajram Curri, Faza e Dytë”
Ky projekt përbën një ndër prioritetet kryesore të bashkisë Bajram Curri dhe është në vijim të disa ndërhyrjeve që janë bërë vitet e fundit, për rivitalizimin urban të zonës.
Ndërhyrja është parashikuar në lagjet “Partizani” dhe “Dardania” që do të shërbejë edhe si unazë e këtij qyteti.
Aktualisht rruga ekzistuese është e amortizuar.
Pjesa më e madhe e saj nuk ka qenë asnjëherë e shtruar më parë dhe ka një mungesë të të gjithë infrastrukturës nëntokësore.
Projekti konsiston në rikonstruksionin e plotë të këtij aksi, zgjerimin dhe realizimin e të gjitha shtresave stabilizant, binder, asfalto-beton, në ndërtimin e rrjeteve inxhinierike, ujësjellës, ndërtimin e trotuareve, si dhe punime ndriçimi.
Ky investim do të nxisë lëvizshmërinë urbane dhe ndër-urbane të pasagjerëve, mjeteve të rënda dhe do të shërbejë për rigjallërimin e fushave të ndryshme të ekonomisë.
Përmirësimi i këtij aksi do të lehtësojë zhvillimin e tregtisë bujqësore dhe blegtorale dhe kushtet për turizëm malor dhe natyror, duke qenë një nyje lidhëse me Alpet shqiptare, parqet natyrore dhe luginën e Valbonës.