Tiranë- Ndihma e shpejtë në situatën e një aksidenti mund të shpëtojë jetë. Por jo vetëm kaq. Ndihma e shpejtë dhe mënyra sesi trajtohet një i aksidentuar është përcaktuese edhe për kohën e rekuperimit. Nëse është dhënë në mënyrën e duhur mund të shkurtojë kohën e shërimit dhe nëse jo mund të shkaktojë edhe më shumë dëm.

Për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e dhënies së ndihmës së shpejtë, por edhe për të rritur kapacitetet e stafit në menaxhimin e situatave të tilla, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar (KKSH) zhvilluan një trajnim dy-ditor ku morën pjesë rreth 20 punonjës të zyrave qëndrore të FSHZH dhe menaxherë të kontratave në terren. Trajnimi i drejtuar nga ekspertë të KKSH me një përvojë 20-vjeçare, kombinoi teorinë me ushtrime praktike për menaxhimin e situatave të aksidenteve dhe ndërhyrjeve të sakta në dhënien e ndihmës së shpejtë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka një vëmendje të shtuar te siguria dhe shëndeti në punë. Qëllimi është të krijohet një kulture organizative që garanton parandalimin e lëndimit të punëmarrësve për shkak të ambientit në punë. Në fokus janë jo vetëm punonjësit e FSHZH, por edhe punëmarrësit e kompanive të kontraktuara që punojnë për projektet që FSHZH zbaton për llogari të palëve financuese. Gjatë muajit të fundit specialistët e FSHZH kanë vizituar 15 kantiere të veriut ku kanë vëzhguar zbatimin e rregullave të sigurimit teknik dhe kanë sensibilizuar mbi rëndësinë e zbatimit të tyre. Përgjigja ka qenë mjaft pozitive dhe në të gjitha vizitat e përsëritura është vërejtur përmirësim i dukshëm i përdorimit të sinjalistikës paralajmëruese, veshjeve mbrojtëse dhe masave të tjera të sigurisë.

Ndërkaq, FSHZH parashikon të vijojë me trajnimet në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Disa nga trajnimet e ardhshme do të organizohen në bashkëpunim me Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Këto trajnime do të konsistojnë në njohuri teorike, por edhe në ushtrime për raste emergjencash si: zjarri, tërmetet, etj.