Vijojnë me ritme të larta, punimet për “Rikonstruksionin e rrugës së Lumit të Vlorës, Lot II”
Tiranë- Aktualisht janë në ndërtim e sipër, veprat e artit (tombino, urë). Kjo ndërhyrje me financim të Qeverisë Shqiptare, ka një shtrirje gjeografike në qarkun Vlorë, Luginën e Lumit të Vlorës, (duke përfshirë 3 bashki – Vlorë, Selenicë, Himarë). Më herët infrastruktura ekzistuese nuk favorizonte aspak banorët e kësaj zonë. Amortizimi i këtij aksi lidhës, ndikonte në kushte jo të mira jetese dhe sektori i turizmit, nuk po ndihmonte zhvillimin e ekonomisë lokale.
Ky projekt në një gjatësi investimi prej 90 km (organizuar në Lot-e dhe përfitues direkt 129 mijë banorë) synon të arrijë një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme për infrastrukturën publike në zonën e Bregdetit të Jugut. Specifikisht në këtë zonë do të mundësojë lidhjen e dy rrugëve nacionale (SH4-SH8) dhe përfshin edhe një degëzim që mundëson lidhjen me qytetin e Vlorës.
Projekti pritet të ketë impakt në zhvillimin e ekonomisë dhe në sektorin e turizmit, duke mundësuar shërbime optimale për popullsinë vendase dhe turistët.