Tiranë- Loreta.H, Mihal. Xh dhe Pal.Ç janë 3 nga inxhinierët, pjesë e ekipit të madh të FSHZH me një përvojë disa vjeçare.
Ata prej datës 27 nëntor gjenden në terren, në qytetin e Durrësit pranë banorëve, për të kryer inspektimet dhe vlerësimet mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti, si dhe sigurinë e tyre.
Me një sistem dixhital të secilës godinë (të pajisura me nr.rendor) dhe formularët përkatës (nga historiku i godinës, deri sot) shkojnë shtëpi më shtëpi, për të kontrolluar strukturat dhe komunikuar me çdo qytetar, si në aspektin teknik dhe njerëzor, pasi aty frika psikologjike prej një fatkeqësie natyrore ende ka nevojë për kohë, për tu larguar.

Të tre inxhinierët janë familjarë dhe sakrifica ka qenë e dyfishtë teksa largohen me orare të zgjatura larg fëmijëve, për kontrolle, deri sa syri i njeriut mund të shquajë në dritë.
Në ambiente të vështira, një pjesë prej tyre ende të rrezikshme dhe me banorë të shqetësuar të cilët i shohin si mundësinë finale për të adresuar problemet, inxhinierët po sfidojnë njëkohësisht peshën e një vlerësimi të saktë, për godinat dhe komunikimin për të qetësuar banorët.

Dhe ata do të vazhdojnë të jenë aty, si të gjithë grupet e tjera të shpërndara në terren nga FSHZH deri sa çdo banesë të ketë një kontroll të mirëfilltë dhe çdo qytetar të marrë informacionin e plotë.