Rivitalizimi i sheshit të Shirokës, 65 % e punimeve të realizuara
Tiranë- Rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës është një investim që pritet të integrohet me projektin “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës”.
Aktualisht po vijon shtrimi i gurëve në shesh, ku janë shtruar rreth 7500 m2 sipërfaqe. Paralelisht në këtë pjesë të sheshit po vendosen dhe bllokuesit e trafikut dhe kunetat prej guri. Punimet kanë arritur 65% të volumit.
Gjithashtu ka nisur puna dhe në hapësirën e parkimit dhe me gjelbërimin e ulët. Kjo ndërhyrje po zhvillohet në kuadër të Projektit të Investimeve Prioritare me Impakt të Lartë në Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit.
Projekti me financim nga Qeveria Shqiptare zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe parashikohet të përfundojë në Shkurt të vitit të ardhshëm. Projekti synon ta kthejë Shirokën në një qendër të rëndësishme argëtimi, kulture dhe turizmi duke nxitur aktivitete në liqen dhe rreth tij, si dhe duke ringjallur historinë e traditat pa prekur karakterin natyror të zonës.