Tërmeti që tronditi dhe na bashkoi për t’u ringritur sërish!
Ndërsa përgatitej të festonte festat e Pavarësisë dhe Çlirimit, Shqipëria u zgjua e tronditur mëngjesin e së martës së 26 nëntorit kur një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter me epiqendër detin Adriatik lëkundi të gjithë vendin. 98 persona e gjetën veten nën rrënoja pas tërmetit, prej të cilëve 47 u nxorrën gjallë nga forcat e emergjencës që në orët e para pas goditjes, ndërsa 51 fatkeqësisht nuk ia dolën dot. Rreth 900 persona mbetën të plagosur. Qarqet më të dëmtuara ishin Durrësi, Tirana dhe Lezha. Dëmet në ndërtesa, shtëpi dhe godina shërbimesh janë ende duke u vlerësuar.
“Të ecësh me një mik përmes errësirës është më mirë se të ecësh i vetëm në dritë”, thotë një shprehje e vjetër japoneze. Në këto ditë errësire Shqipëria nuk mbeti vetëm. Solidariteti erdhi nga të gjitha anët. Flamuj kombesh nëpër uniformat e skuadrave të ndihmës së parë nga vendet fqinje dhe nga vende mike në Evropë e më gjerë u bënë bashkë në një betejë për jetën. Mesazhe solidariteti nga ndeshje futbolli dhe aktivitete kulturore erdhën nga të gjitha anët e globit si rreze shprese për të gjithë shqiptarët.
Rimëkëmbja nuk do të jetë e lehtë, por së bashku do ia dalim. Këtë fatkeqësi natyrore mund ta shndërrojmë në një mundësi, në një shans për të rregulluar atë çfarë është bërë gabim, për të menduar zhvillimin aty ku duam të jemi, jo aty ku ishim. Tërmeti i 26 nëntorit do të mbetet gjatë në memorien tonë shoqërore si një ngjarje që na goditi, na lëkundi, na dëmtoi, por nuk na vrau forcën, dëshirën dhe besimin se bashkë mund të ringrihemi. Bashkë mund t’ia dalim!