BEI dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit përgatisin programin rajonal të investimeve në Veri të Shqipërisë

  • Marrëveshje bashkëpunimi midis Bankës Europiane të Investimeve dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit
  • 200,000 EUR janë nënshkruar me FSHZH-në përmes Nismës së Qëndrueshmërisë Ekonomike (NQE), pjesë e paketës të asistencës teknike prej 3 milion EUR
  • Qëllimi është zhvillimi i potencialit në Veri të Shqipërisë dhe vijës bregdetare të Adriatikut me fokus në çështjet mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi prej 200,000 EUR për asistencë teknike për përgatitjen e një programi rajonal investimesh në Veri të Shqipërisë. Ky është hapi i parë i një programi më të gjerë asistence teknike, që do të zbatohet në partneritet me FSHZH-në për të mbështetur rajonin me një vlerë deri në 3 milion EUR. FSHZH është një agjenci kombëtare me 25 vjet përvojë në fushën e investimeve në infrastrukturë në nivel lokal në të gjithë territorin e Shqipërisë. FSHZH është një partner i rëndësishëm i BEI-t dhe ka ekspertizë të konsiderueshme në përkthimin e e politikave kombëtare në programe investimesh.

Asistenca teknike, e financuar nga BEI përmes Nismës së Qëndrueshmërisë Ekonomike (NQE) do të përfshijë vijën bregdetare të Adriatikut midis Shëngjinit dhe Velipojës, bregun e liqenit të Shkodrës, Lumin Buna dhe portën e Koplikut në Alpet Shqiptare, si dhe një pjesë të territoreve të bashkive të Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, BEI do të asistojë FSHZH për përcaktimin e strategjisë së turizmit të integruar dhe përmirësimit urban të Portës Bregdetare të Alpeve, marrjen në konsideratë të aseteve natyrore dhe potencialet e zonës, si dhe çështjet mjedisore. Kjo do të mundësojë përgatitjen e një plani investimi kapital afat-mesëm dhe afatgjatë, që do të plotësojë Masterplanin e Alpeve duke përmirësuar aksesin, cilësinë mjedisore dhe shërbimet lokale.

Ky partneritet ilustron mbështetjen e BEI-t ndaj autoriteteve shqiptare për zhvillim të qëndrueshëm që sintentizon planet dhe sektorët ekzistues dhe u jep përparësi investimeve strategjike.

“Duke ndihmuar për hartimin e një programi investimesh në infrastrukturën publike bazuar në potencialin e turizmit rajonal dhe një analize të thelluar të mangësive në infrastrukturën ekzistuese, Banka do të kontribuojë në zhvillimin e potencialit të pashfrytëzuar të Shqipërisë së veriut,” tha Alessandro Bragonzi, përfaqësuesi i BEI-t për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“FSHZH në rolin e vet si agjenci zhvillimore rajonale përmes kësaj nisme synon të sigurojë vizionin strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të portës së Alpeve që sintetizon planet ekzistuese, strategjitë sektoriale dhe investimet strategjike të mëparshme e të kohëve të fundit. Fondi Shqiptar i Zhvilimi sheh te BEI një partner të rëndësishëm nga i cili ka marrë mbështetje të vazhdueshme prej shumë vitesh, për të realizuar misionin e vet në mbështetje të objektivave të qeverisë shqiptare. Përmes kësaj nisme ne kemi ndërmend të ndërtojmë një program gjithëpërfshirës investimesh, që do t’i përgjigjet nevojave dhe potencialeve territoriale, përmes një qasjeje të integruar ndërhyrjesh, duke përmirësuar atraksionet e kësaj zone, duke nxitur potencialin e gjenerimit ekonomik, duke investuar te njerëzit dhe shërbimet, si dhe duke përmirësuar shërbimet publike,” tha Dritan Agolli, Drejtor Ekzekutiv i FSHZH.

EIB in Albania and the Western Balkans (https://www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans)

BEI në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor  (https://www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans)

Prej vitit 2000, Banka Evropiane e Investimeve ka dhënë hua mbi 474 milionë Euro për Shqipërinë në mbështetje të infrastrukturës transportuese dhe mjedisore, shëndetësinë, kërkimin arsimor dhe zhvillimin e NVM-ve.

FSHZH (https://www.albaniandf.org)

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një agjenci e themeluar me ligj të veçantë në vitin 1993, si një fond investimi social për të lehtësuar varfërinë në vend. Nga një agjenci e themeluar me misionin për të lehtësuar varfërinë në zonat rurale përmes ndërhyrjeve të vogla, pas rënies së regjimit komunist, FSHZH është transformuar në levën kryesore të zhvillimit. FSHZH zbaton qasje rajonale dhe zbaton projekte të integruara dhe komplekse me synim zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijimin e modeleve të suksesshme, të cilat përkthehen në rezultate me impakt afatgjatë në mirëqenien e qytetarëve. Gjatë viteve të fundit FSHZH ka marrë një rol gjithmonë në rritje në reformën e zhvillimit rajonal.

Nisma e Qëndrueshmërisë Ekonomike  (https://www.eib.org/en/projects/initiatives/resilience-initiative/index.htm)

Prej vitit 2016, kjo nismë është pjesë e përgjigjes së Bashkimit Evropian ndaj sfidave të Fqinjësisë Jugore dhe Ballkanit Perëndimor, si zhvendosja e detyruar dhe migracioni, recesionet ekonomike, krizat politike, thatësirat dhe përmbytjet. NQE krijon vende pune dhe rritje ekonomike në rajon duke investuar në zhvillimin e infrastrukturës kyçe dhe sektorin e sipërmarrjes private. Gjithashtu mund të ndihmojë flukset e migracionit. NQE ofron një paketë huash dhe produktesh financiare novatore, duke shkrirë fonde nga komuniteti i donatorëve me financimet e BEI-t. Nisma zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me vendet e BE-së, Komisionin Evropian dhe partnerë të tjerë. Kroacia, Italia, Lituania, Luksemburgu, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar ishin vendet e para të BE-së që kontribuan për NQE.

Përmes NQE-së, janë miratuar më shumë se 50 projekte për një total investimi 4.92 miliardë Euro. Nisma pritet të sigurojë një total prej 6 miliardë Eurosh financime shtesë.

Kontaktet për mediat:

Marco Santarelli (në Romë), m.santarelli@eib.org, tel.: +39 06-4719426 / Mobile: +39 331 65 95 594
Website: www.eib.org/press – Press Office: +352 4379 21000 – press@eib.org