Tirana- Ky projekt në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do vijë në ndihmë të 328 abonentëve, (në fshatrat Mal Vilez, Vilëz, Zall Bastar, Zall Dajt, Shëngjin i Vogël dhe Besh) në NjA Zall Bastar, bashkia Tiranë.

Qëllimi kryesor është furnizimi i banoreve me ujë të pijshëm pa ndërpreje dhe me cilësi sipas udhëzimeve të BE-së.
Furnizimi pa ndërprerje me ujë i fshatrave të mësipërm në NjA Zall Bastar, do të bëhet sipas dy skemave të ndara nga njëra-tjetra.
Fshatrat Mal Vilëz dhe Vilëz furnizohen nga burimet “Kroi i Rucetes” dhe “Gurra e Madhe”, kurse fshatrat Shëngjin i vogël, Zall Dajt, Besh dhe Zall Bastar furnizohen me pikë lidhje nga tubacioni kryesor i ujësjellësit të Tiranës.
 

Komponentët kryesorë të këtyre skemave janë:

  • Ndërtimi i 72 bokseve të matësve të ujit brenda në rrjetin shpërndarës për furnizimin e 328 familjeve të këtyre fshatrave,
  • Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujrave të zeza dhe nje grope septike për fshatin Mal Vilëz,
  • Ndërtimi i dy linjave të transmetimit, për fshatrat e ndara sipas furnizimeve bashkë me pusetat e ajrimit, shkarkimit, reduktimit te presionit dhe shuarjes së presionit,
  • Ndërtimi i rrjetit shpërndarës në fshatrat e NjA Zall Bastar bashkë me pusetat e komandimit, ajrimit, shkarkimit, reduktimit te presionit dhe shuarjes së presionit,
  • Ndërtimi i 6 rezervuarve bashkë me dhomat e klorinimit,
  • Ndërtimi i dy kaptazheve të ujit në fshatin Mal Vilëz.
  •  Ndërtimi i linjave nga puseta e shpërndarjes, deri tek kufiri i pronës i çdo familjari.

Punimet në këto zona parashikohen të përfundojnë në Maj të vitit të ardhshëm, për të zgjidhur në mënyrë përfundimtare problematikën e furnizimit me ujë.