Zhvillimi urban në qytetin e Durrësit
Nga Porti te Sfinksi – 67,000 m2 hapësirë publike e rigjeneruar
“Shëtitorja “Taulantia”
Sot jemi në qytetin e Durrësit, në të cilin në kohë janë zhvilluar një sërë ndërhyrjesh, në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të turizmit, të cilat vijojnë dhe sot.
Fillimisht fokusi ynë është në një nga objektet në proces pune e sipër. Sheshi “Taulantia” në Durrës, i cili është cilësuar si “Lungomare e II, në vend”. Për vendasit zona ndër vite e quajtur “Vollga” është zona më kryesore, nyja e qytetit, ku të gjitha rrugët e tij të brendshme të cojnë në këtë pikë takimi.
Pikërisht këtu nga Porti e deri te Sfinksi, siç durrsakët orientohen me krenari po kryhet rikonstruksioni i sheshit “Taulantia”.
Ajo që mbase ende shumë skeptikë në proces punimesh e quajnë thjesht një ndërtim trotuari është në fakt, trajtimi i një hapësirë 67.000 m2.
E ndarë në 3 sheshe kryesore me dalje në det, ku po punohet me një intesitet të lartë janë realizuar në masën 80% punimet për mbrojtjen detare.
Këtu përfshihet ndërtimi i murit në zonën 2 dhe shkallareve dhe trareve b/a në zonën 1, si dhe mbushja me gurë në det në zonën 1 dhe 2.
Gjithashtu janë kryer një pjesë e punimeve të gërmimit dhe mbushjes në zonën 1 dhe 2, si dhe heqja e pllakave të trotuareve ekzistues. Këto të fundit si pasojë e amortizimit të tyre, ishin bërë shkak për incidente për këmbësoret dhe mungesën e një uniformiteti estetik.
Qëllimi i këtij projekti është ripërcaktimi i raportit të kësaj zone me zonat urbane pranë saj, me qendrën dhe me elementët e rëndësishëm historik, si objektiv kryesor për të rritur dhe pasuruar sistemin e hapësirave publike dhe për ti integruar ato me njëra-tjetrën.
Në një gjatësi 950 m vijë bregdetare janë planifikuar ambiente të gjelbëruara, lulishte që do të shtrihen në një hapësirë 21.000 m2, duke përfshirë mbjelljen e rreth 500 pemëve dhe rreth 6500 shkurreve dekorative.
Punime ndriçimi përgjatë gjithë vijës, duke mos u orientuar më” nga drita e bizneseve pranë detit. Krijimi i ambienteve sportive, nga kalçeto në volejboll plazhi” si dhe ambiente për aktivitete sociale, në zonën e ashtuquajtur “zona spektakël”. Gjithashtu është parashikuar ndërtimi i sheshit mol” që të çon drejt detit, për të shijuar panoramën e qytetit bregdetar prej mëngjesit në mbrëmje.
Në projekt është parashikuar dhe hapësira e re prej 6000 m2 e parkimit, që kur të vish të mos shqetësohesh “se ku do të lësh makinën”, shtrimi i pedonales me gurë si dhe shkallare pranë zonave të plazhit, si elementë të rëndësishëm të projektit, për të kuptuar se është totalisht në shërbim të qytetarëve.
Duke realizuar kështu konceptin e një parku qendror të vërtetë, duke ofruar më shumë hapësira publike, me synim rijetëzimin e zonës dhe ripërcaktimin e raportit të qytetit me detin.Deri dje kjo zonë paraqiste problematika si; amortizim me sipërfaqe të mëdha buze detit të kthyera ne vend depozitimi mbeturinash, zhvillim kaotik në zonën nr.1 me ambiente biznesesh të pa sistemuara, kioska të vendosura çrregullt, zona lojrash për argëtimin e fëmijëve të pa aksesueshme siç duhet, pllakat e shesheve drejt amortizimit, mungesa e ndriçimit etj.
Këto dhe më tepër na rrëfejnë dhe dy biznese, njëra prej tyre kafene dhe tjetra kreperi.
“Presim me padurim mbylljen e projektit. Këtu rreth e rrotull biznesit, zona është në pastrim e sipër dhe tani kemi mundësinë të hapim tavolinat jashtë, buzë detit. Normale që në mbrëmje vendosja e ndriçimit, do ti japë tjetër pamje. Do shfrytëzohet më shumë, si për shëtitje dhe në hapësirën ku do të luajnë fëmijët.
Ndërkohë menaxheri i një biznesi kreperie tregon se:
“Shëtitorja tani po merr formë. Siç keni ju “Bllokun” në Tiranë, ne kemi “Vollgën” në Durrës dhe duhej ky investim për qytetin. Për ne është veç mirë, gjelbërim këtu para lokalit, e shkallaret në fillim që vijnë e bëjnë foto. Dihet që më shumë njerëz e pushues të vijnë, më shumë xhiro për ne.”
Duke lënë pas rivitalizimin e këtij sheshi i cili parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm zhvendosemi në dy projekte të realizuara tashmë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si një paketë e plotë investimesh në shërbim të turizmit.
Investimet në zonën e plazhit të Shkëmbit të Kavajës dhe në Golem
Më parë jemi njohur me historitë njerëzorë të familjeve dhe bizneseve, të cilat vuanin pasojat e amortizimit të infrastrukturës në blloqet e banimeve në Shkëmbin e Kavajës dhe në Golem. Që nga përmbytjet për shkak të mungesës së kanalizimeve e deri te vështirësia e familjeve me shtegun” që vetëm rrugë nuk mund të quhej, për të dalë në plazh me apo pa makinë sollën domosdoshmërinë e ndërhyrjes dhe rehabilitimit të tyre.
Sot mund ti dallosh qartësisht rrugët, të pajisura me sinjalistike horizontale dhe vertikale, me punime kanalizimi dhe të asfaltuara me vijëzimet e duhura.
Punimet e ndriçimit e japin efektin e tyre në muzg, duke i dhënë dritë blloqeve të banuara.
Në të dyja zonat, kanë përfunduar rehabilitimi total i rrugëve të brendshme.
Në Shkëmbin e Kavajës është kryer dhe sistemimi i plotë i Përroit të Durrësit e në Golem shëtitorja e përfunduar po shfrytëzohet për shëtitje nga turistë vendas dhe të huaj, në çdo periudhë të vitit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një zbatues në infrastukturën moderne të qytetit të Durrësit dhe për sa më sipër parashikon që rikualifikimi dhe mobilimi urban i këtyre hapësirave, të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, në drejtim të turizmit dhe ekonomisë.