Kallmet, kantieri i ujësjellësit pret vizitorë të veçantë
Ambasadori gjerman Peter Zingraf dhe grupi i gazetarëve nga media lokale dhe kombëtare, të shoqëruar nga përfaqësues të KfW dhe FSHZH u njohën me detaje të projektit për ujësjellësin e ri që ka filluar të ndërtohet prej shkurtit të këtij viti.
Kallmeti ishte ndalesa e radhës e një grupi gazetarësh që u bënë pjesë e udhëtimit të përvitshëm në kuadër të Tetorit Gjerman. Ky aktivitet organizohet nga Ambasada Gjermane dhe Bashkëpunimi Gjerman në Shqipëri. Pjesë e këtij rrugëtimi u bë edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që zbaton programin “Furnizimi me Ujë i Ujësjellësve Ruralë” III që synon t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë të pijshëm në zonat rurale të Shqipërisë.
Kallmeti shtrihet rrëzë malit të Velës, rreth 4 kilometra larg rrugës kryesore që lidh Lezhën me Shkodrën. Prej tij ka marrë emrin edhe varieteti autokton i rrushit dhe tradicionalisht çdo shtëpi prodhon verë dhe raki. E ndarë në dy fshatra Kallmet i Madh dhe Kallmet i Vogël, zonës i kanë munguar prej vitesh investimet në ujësjellës.
Ambasadori gjerman Peter Zingraf dhe grupi i gazetarëve nga media lokale dhe kombëtare, të shoqëruar nga përfaqësues të KfW dhe FSHZH u njohën me detaje të projektit për ujësjellësin e ri që ka filluar të ndërtohet prej shkurtit të këtij viti.
Sistemi ekzistues, tejet i amortizuar nuk arrin të furnizojë të gjithë zonën. Me përjashtim të lagjes pranë depove të ujit që furnizohej me ujë vetëm pak orë në ditë, pjesa tjetër e fshatrave kanë pak ose aspak ujë. Për të plotësuar nevojat, banorëve u është dashur të gjejnë burime alternative. Ata ankohen edhe për higjienën e ujit, duke theksuar se uji i bakterizuar në shumë raste është bërë shkak për sëmundje.
© Ambasada Gjermane Tiranë © Fondi Shqiptar i ZhvillimitSkema e re ujësjellësit do të sigurojë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë për 4,000 banorë të zonës. Investimi financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e qeverisë gjermane përmes KfW, Bashkimit Europian dhe WBIF (Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor). Fondi Shqiptar i Zhvillimit është agjencia zbatuese e projektit në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale” (FUZR) III. Zbatimi i këtij programi iu besua që prej fillimit Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe vjen pas zbatimit me sukses të programeve të mëparshme FUZR i & II.
Ujësjellësi për fshatrat Kallmet i Madh dhe Kallmet i Vogël furnizohet nga rezervuari i burimeve të Shën Eufemisë dhe është llogaritur që të përballohen edhe nevojat e qendrave shëndetësore, shkollave, bizneseve dhe blegtorisë.
Përveç ngritjes së sistemit të ri për furnizimin me ujë të pijshëm sipas standardeve më të mira, projekti do t’i japë zgjidhje edhe problematikës së matjes dhe pagesës së ujit. Për të shmangur abuzimet dhe humbjet ekonomike, investimi parashikon edhe ngritjen e sistemit të matësave dhe vendosjen e tyre për çdo familje.
Ambasadori gjerman vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes palëve financuese, organizatës zbatuese, bashkive dhe ndërmarrjet e ujësjellësve, të cilat janë edhe përfituesit e këtyre investimeve. Bashkitë e përfshira në këtë program janë njëkohësisht edhe financuese me 10% të totalit. Kjo, sipas z. Zingraf është gjithashtu një element shumë pozitiv që do të nxisë mirëmbajtjen e ujësjellësit duke garantuar qëndrueshmërinë e investimit.
Programi “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale” (FUZR) është ndër më të rëndësishmit dhe më jetëgjatët të ndërmarrë në sektorin e ujit. Zonat e ndërhyrjes shtrihen në 83 fshatra të 14 bashkive të vendit nga veriu në jug dhe parashikohet që të përfundojë në vitin 2021. Janë 23 skema që po financohen përmes këtij programi me qëllim zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për rreth 83,000 banorë.