Frymëmarrje e plotë” për qytetin e Pavarësisë
Tiranë- Data shënon 20 shtator 2019. Është e premtja e tretë e shtatorit, ku vjeshta dhe në qytetin e ngrohtë bregdetar po jep sinjalet e veta.
Lëvizje të panumërta në çdo orar të ditës, makinat lëvizin qetë dhe shëtitjet për këmbësorët vijojnë gjatë gjithë bulevardit.
Ky i fundit me durim ka pritur prej kohësh, për të marrë hapësirën që meriton.
Sot bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet mes për mes qytetit me një pamje të re, moderne të rikonstruktuar në çdo centimetër të tij.
Mban mbi vete mjedise çlodhëse, argëtuese dhe rreshta të tërë në gjatësi me gjelbërim dhe korsi për biçikletat, për të qëndruar në formë sepse jo vetëm deti kujdeset” për mushkëritë e qytetarëve.
‘Punë e mirë, e rregullt e pastër”- dëshmojnë banorët dhe vizitorët, duke vlerësuar deri në simetrinë e ndërtimit, hapësirën që është krijuar.
Ndihen të lumtur sepse në vëmendje të projektit janë pikërisht ata, qytetarët.
Bulevardi në koncept ju ka dhënë lirshmërinë që kanë dashur prej kohësh, për të mos ecur më në rrugë kur është shumë ngushtë, për shkak të mbipopullimit (dhe mendoni gjatë sezonit të verës, fëmijë dhe të moshuar) ku duhet të shtyheshin në çdo metër me tavolina e karrige lokalesh.
Tashmë me trotuarë të gjerë, do të kenë mundësi të marrin kohën e tyre të vizitojnë dyqane për blerjet e sezonit, të pinë dhe një kafe por në rehatinë e tyre sepse do të limitohet shpërndarja e bizneseve lokale.
Ndërkohë reduktimi i korsive të trafikut nga 2 në 1, ka krijuar mundësinë për zhvillimin e një pedonaleje përgjatë të gjithë bulevardit dhe 5 kalime të sigurta për këmbësorët.
Kjo nuk do të thotë që nëse je shofer, do të bllokohesh” në trafik. Ose nëse je në një qytet tjetër duke lexuar për këtë projekt, po mendon se është e kotë; “nëse shkojmë, do rrimë tre orë në rrugë”.
Përkundrazi qarkullimi yt dhe i makinave të tjera do të lehtësohet, përmes lidhjes me Transballkaniken dhe Unazën e Re. Transporti publik do te kete xhepat e tij’ per te ndaluar pergjate vijes se bulevardit. Dy akse të cilat dhe gjatë këtij sezoni veror përballuan me sukses, fluksin dhe pasigurinë e shumëpërfolur” gjatë tij.
I gjithë bulevardi është ndërtuar në vetëm brenda një viti. Monitorime dhe vlerësime të cilat kanë shoqëruar çdo proçes pune. Tashmë të gjithë mund të kemi dëshmuar një pjesë të punimeve, për shkak të lëvizjeve në jug gjatë asaj periudhe.
Teknikisht në bulevard është punuar me nënshtresat në trup të rrugës, vendosjen e tubave të ujësjellësit në të dyja anët e saj, betonimin e të gjitha pusetave të ujësjellësit dhe të linjave rezervë.
Janë trajtuar 75,000 metra katrorë nga të cilat 8,000 metra katrorë janë sheshe, 11,000 metra katrorë sipërfaqe parkimi për makina, biçikleta dhe 6 hapësira të reja për aktivitete publike.
Në të gjenden 5 lloje tonalitetesh të gurëve të përzgjedhur me origjinë shqiptare dhe kryesisht mbizotëron ngjyra gri dhe bezhë, tipike e gurëve të Malësisë së Vlorës.
Gurë të cilët janë shtruar në 4 modele mozaikësh të shpërndarë në një sipërfaqe prej 63,000 metra katrorë.
Kjo për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së origjinës, identitetit dhe në projekte moderne.
Një tjetër komponent thelbësor i projektit është gjelbërimi, ku dhe janë mbjellë 15 lloje të bimësh (pemë dhe ligustra), si dhe luleve tipike të zonës në një sipërfaqe totale prej 7,450 metrash katrorë.
Bulevardi “Ismail Qemali” gjithashtu shërben dhe si një urë lidhëse, për monumentet historikë të Vlorës, që deri dje kanë qenë të ndarë dhe të palidhur, për të mbrojtur kështu dhe trashëgiminë kulturore, në prezantime për turistët në çdo sezon të vitit.
Për sa më sipër Vlora do të presë kështu fluksin e lartë të turistëve nga shumë shtete të botës që si çdo vit shpërndahen kuriozë, në të 4 anët e qytetit për të njohur më nga afër dhe për të dëshmuar “thesarin e fshehur bregdetar” për të cilin ditë pas ditë revistat dhe operatorët më prestiogjiozë turistike po sugjerojnë për ta vizituar.
Tashmë vlonjatët dhe jo vetëm, do të kenë hapësira çlodhëse, multifunksionale për familjet e tyre duke shijuar jo vetëm plazhin e kristaltë, por një mobilim urban” dinjitoz dhe bashkëkohor.