TIRANË –      Qyteti i Sarandës, (emri i të cilës mendohet se vjen nga Manastiri i 40 shenjtorëve-Santi Quaranti) është në një proces rivitalizimi të qendrës së tij.

Bulevardi “Naim Frashëri” pika kyçe e qytetit parashikohet të transformohet në një hapësirë multifunksionale, por duke ruajtur identitetin e qytetit, si dhe gjurmëve historike dhe kulturore të tij.

Gjatë sezonit turistik shëtitorja e Sarandës mund të jetë një prej shëtitoreve më të vizituara të Shqipërisë.

Mbipopullimi gjatë verës ka sjellë domosdoshmërinë e një infrastrukture publike moderne, për t’ju përgjigjur kërkesës në rritje për më shumë shërbime dhe hapësira për banorët dhe turistët.

Me rritjen e numrit të vizitorëve e turistëve në kohë shëtitorja ka krijuar një seri problematikash si: hapësirë e pamjaftueshme për këmbësorët gjatë sezonit veror, pamundësi për parkim për vendasit dhe vizitorët, etj.

Ata që kanë vizituar Sarandën gjatë sezonit turistik e dinë që makinat zënë një pjesë të madhe të bulevardit, parkimi është problem dhe shpesh njerëzit janë të detyruar të ecin në rrugë.

Plazhet gjithashtu kanë hapësira të vogla dhe në disa raste aksesi është i vështirë. Shëtitorja, në tërësinë e saj, është një hapësirë me elementë të shpërndarë, që nga ana vizuale krijojnë një imazh kaotik. 

Strukturat e përkohshme dhe reklamat të vendosura në mënyrë rastësore, me ndryshimet në lartësi bëhen pengesa në vazhdimësinë e bulevardit.

Për shkak të këtij organizimi kaotik dhe infrastrukturës së lënë pas dore, strukturat arkeologjike kanë mbetur në hije ç’ka pengon zhvillimin e turizmit kulturor.

    Në këtë kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” të financuar nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të fillojë ndërhyrjen për rigjenerimin urban të shëtitores “Naim Frashëri” në Sarandë. Projekti ka qenë subjekt i konsultimeve publike me aktorë të interesit që në fazën e studimit të fizibilitetit, deri në miratimin e projektit final. Ky i fundit ka reflektuar dhe harmonizuar të gjitha nevojat dhe sugjerimet e komunitetit.

Projekti synon të integrojë në infrastrukturën ekzistuese urbane elementë që përmirësojnë peizazhin urban, lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe krijojnë hapësira të dedikuara për aktivitete të ndryshme.

Ndër objektivat e ndërhyrjes, është me rëndësi parësore krijimi i një identiteti të qartë urban, por edhe atraktiv përgjatë të gjithë shëtitores. Do të ketë një shtrirje më të madhe të hapësirave publike dhe këmbësore. Disa funksione dhe aktivitete propozohen të shtohen përgjatë shëtitores, për ta bërë atë më dinamike.

Në zonën perëndimore të shëtitores propozohen zona sportive dhe rekreative, siç është rasti i pishinës publike, e cila ka të gjithë potencialin për t’u shndërruar në qendër aktivitetesh sportive ujore. Po ashtu, te ish- fabrika e  miellit parashikohet të ndërtohet një kinema verore dhe një qendër kulturore.

Për ata që preferojnë biçikletën, parashikohet krijimi i një korsie të veçuar përgjatë rrugës “Jonianet” dhe më pas si një hapësirë e përbashkët në brendësi të shëtitores.

Pikat e informacionit do të jenë të shpërndara në fillim dhe në fund të shëtitores në shërbim të turistëve.

Tregu ekzistues i kioskave me suvenirë që aktualisht pengon pamjen nga deti do të ripozicionohet, ndërkohë që janë propozuar disa hapësira publike me funksione të ndryshme si;

Pishina publike në Perëndim dhe një pikë panoramike në Lindje, pajisja e  plazheve me dushe publike, funksione shtesë të ingranuara në kopshtet e tarracuara (Babylon Garden Park) të zhvilluara në pjesën qendrore, shkallaret në ujë në pjesën perëndimore, etj.

 

Një ndër çështjet kryesore e ngritur nga komuniteti në konsultimet publike të projektit, ka qenë ruajtja e identitetit të qytetit. Për këtë arsye një vëmendje e veçantë i është kushtuar këtyre elementëve.

Projekti identifikon disa zona të rëndësishme si: segmenti nga fillimi i shëtitores ‘Hasan Tahsini’ te zona e limanit, ku rrënojat e ruajtura dhe më të rëndësishme janë ‘Porta e hyrjes së Onhezimit’, zona përreth Hotel Republika ku janë rrënojat Romake dhe Zona përreth Shkallareve ku mendohet të kenë qenë muret e Kështjellës së Onhezimit.

Me financim të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore, ky projekt synon rivitalizimin total të zonës me standardet më bashkëkohore dhe infrastrukturë moderne të denjë për të ashtuquajturin “Portin e Jugut”.