Tiranë- Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit, nëpërmjet përmirësimit të aftësive novatore për të plotësuar ofertat kulturore dhe natyrore ishte tema e Konferences Rajonale të organizuar në Përmet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit InnoXenia.

Në këtë Konferencë morën pjesë përfaqësues nga të katër helikat e aktorëve kryesorë në turizëm, si përfaqësues nga Bashkia e Përmetit, Agjensia e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër, Shoqata Pro Përmet, Cesvi, biznese të suksesshme që operojnë në sektorin e turizmit, institucione arsimore e kërkimore, etj.

Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit në këtë Konferencë, rezultoi se zhvillimi i shpejtë dhe potenciali i lartë i sektorit të turizmit në Përmet ka sjellë nevoja për rritjen e kapaciteteve, por edhe per dakortësimin e një strategjie për inovacionin në turizëm, për të siguruar kështu një model suksesi drejt turizmit të qëndrueshëm.

Për të siguruar një sinergji mes ndërhyrjeve në sektorin e turizmit, si dhe për të mësuar më tepër drejt disa modeleve të suksesshme të aplikuara në zona të tjera, gjatë Konferencës u prezantuan disa projekte ndër të cilat mund të përmendin projektin ADRION 5 SENSES që po implementohet në rajonin e Alpeve Shqiptare dhe synon të ngrejë brandin ADRION në turizëm, si dhe projekte që po implementohen nga Bashkia Përmet.

 

Në kuadër të aktiviteteve të projektit InnoXenia në Përmet, u realizua edhe një vizite studimore në fshatin Bënjë, ku pjesëmarrësit paten mundësinë të shijonin pasuritë natyrore, si dhe të vizitonin Kishën e Shën Mërisë, së bashku me guidën e ofruar nga specialisti i trashëgimisë kulturore i Sektorit Përmet, z. Aleks Todhe. Krahas historisë u nda me pjesëmarrësit edhe gojëdhëna e kësaj kishe.