TIRANË – Gërrmimet për hapjen e trasesë së rrugës në lotin e dytë të Rrugës së Lumit të Vlorës po vazhdojnë intensivisht edhe pse terreni është mjaft i vështirë. Segmenti Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos do të ofrojë parametra më të mirë të sigurisë.

Të privuar për shumë vite nga zhvillimi dhe të sfiduar prej shumë vitesh nga vështirësitë në qarkullimbanorët e fshatrave të luginës së Lumit të Vlorës presin me padurim fillimin e punimeve edhe në lotet e tjera. Përballë mungesës së një shërbimi minimalist shëndetësor, distancës së largët të shkollave, pamundësia për të çuar produktet bujqësore dhe blegtorale në një treg të mirëfilltë, banorët e zonës janë përplasur në gati 30 vite premtime. Bregdeti ishtë kthyer në një luks dhe lidhja më qytetin me të afërt, në një sfidë fizike për banorët e zonës që njihet si zemra e Labërisë, , të cilët provojnë mungesën e infrastrukturës në kurriz të ekonomive të tyre familjare.Projekti dhe financimi nga qeveria shqiptare, Fondi Kuvajtian si dhe Fondi Saudit krijuan mundësinë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të zbatojë një projekt ambicioz për ndërtimin e një korridori atraktiv prej 94 km dhe lehtësisht të përshkrueshëm, i cili do të lidhë 60 fshatra të zonës, me popullsi mbi 40.000 banorë me qytetin e Vlorës.

 

Duke filluar nga Bypass i Vlorës dhe duke përfunduar në superstradën Levan -Tepelenë, tashmë përmes kësaj rruge do të fitohet një akses me i shpejtë, për në bregdetin e Himarës, Qeparoit dhe Borshit, duke parashikuar që agroturizmi të jetë drejtimi kryesor ekonomik i të gjithë zonës.

E gjithë lugina ka kulturë të pasur, trashëgimia e së cilës fillon nga qyteti antik “Amantia”, vijon  me monumentet e shumta të kulturës si “Shpella prehistorike e Velçës”, “Ura e Bratit”, “Guri me Qiell i Vranishtit” “Shpella e shkruar e Lepenicës”, Buronjat e Kuçit etj, të cilat duke u ndërthurur me burimet natyrore të zonës, rrisin mundësitë për të zhvilluar turizmin kulturor, bregdetar, malor i cili nuk mbetet vetëm në nivelin e kureshtjes disa ditore të eksploratorëve europianë, por në një sistem të mirëfilltë guidash turistike.

Aksi do të krijojë një lidhje përfundimtare mes fshatrave të Vlorës, si dhe  mes Vlorës e  Himarës, duke i mundësuar që i edhe banorët e Tepelenës dhe qyteteve të tjera që vijnë nga ana tjetër e Shqipërisë, të kenë akses të shpejtë në bregdet.

Pas përfundimit të të punimeve për LOT-in i Babicë – Gjorm, tashmë puna po vazhdon në LOT-in II. Projekti për të katër lotet parashikon që qendrat e fshatrave përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës, do të trajtohen si zona urbane në funksion të komunitetit, me vendkalimet e këmbësorëve, elementëve të sigurisë dhe të ndriçimit, ndërtimin e veprave të artit, si dhe gjelbërimit.