TIRANË – Në sheshin e Shirokës vijojnë punimet për përgatitjen e strukturës dhe rrjetit nëntokësor.

Ky proces do të ndiqet nga faza e shtrimit me pllaka, mozaikët e të cilit janë frymëzuar nga motivet popullore.

Paralelisht me punimet në shesh, po punohet për strukturën e platformës së liqenit dhe zonën e piknikut. Hapësirë të veçantë do të ketë dhe zona e parkimit.

 

Projekti për rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës parashikon trajtimin e një hapësire prej:

  • 20, 000 m2 dhe restaurimin e 2,000 m2 fasada të godinave pranë sheshit.

Detaje të tjera, për krijimin e një hapësire komode për qytetarët do të përfshijnë:

  • dekorim me gurë e dru, sistem ndriçimi dhe mobilim urban si dhe gjelbërim e sinjalistikë.

Rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës është një investim që në të ardhmen pritet të integrohet me projektin “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës”.Aktualisht zona e liqenit nuk shfrytëzon maksimalisht potencialin që ka në dizpozicion. Hapësira prej hyrjes për në Shirokë dhe drejt fshatit Zogajt ka qenë jashtë vëmendjes urbanistike.

Ajo karakterizohet nga një infrastrukturë e e dobët e transportit dhe komunikacionit, shtëpi të rrënuara ose të degraduara në ndërtim, ndërkohë bregu i liqenit në zona të caktuara paraqitet i dëmtuar dhe i ndotur.

Projekti synon ta kthejë Shirokën në një qendër të rëndësishme argëtimi, kulture dhe turizmi duke nxitur aktivitete në liqen dhe rreth tij, si dhe duke ringjallur historinë e traditat pa prekur karakterin natyror të zonës.