TIRANË – Boom-i turistik që Shqipëria ka njohur veçanërisht 2-3 vitet e fundit ka bërë që të nxiten investimet në turizëm nga sektori privat kryesisht në zgjerimin e kapaciteteve akomoduese, por edhe në shërbime. Paralelisht me këtë trend janë rritur edhe investimet publike në infrastrukturën rrugore dhe atë të furnizimit me ujë me qëllim nxitjen e mëtejshme të këtyre investimeve dhe rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit.

Kështu, zona e Shkëmbit të Kavajës dhe zona e Golemit u janë nënshtruar punimeve për rehabilitimin e rrugëve në zonat rezidenciale dhe krijimin e hapësirave rekreative. Ndërsa në zonën e Shkëmbit të Kavajës ka përfunduar puna për sistemimin e rrugëve të brendshme, po punohet intensivisht për sistemimin e Përroit të Durrësit, që deri dje përbënte rrezik për shëndetin e banorëve për shkak të ndotjes dhe mosdisiplinimit të ujrave.

 

Ndërkaq, puna është drejt përfundimit në zonën nga rrethrrotullimi Golem deri të Pusi Nr. 1. Pas përfundimit të shtresave rrugore, asfaltimit dhe trotuarëve 3 metra të gjerë në të dy anët, është drejt përfundimit vendosja e sinjalistikës vertikale për mjetet dhe turistët.

Janë rreth 3,2 km në total që janë trajtuar, duke përfshirë shëtitoren dhe rrugën paralele.

Zona e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemi frekuentohen përgjatë të gjithë vitit. Numri i vizitorëve rritet veçanërisht në verë kur krahas pushuesve vendas, këto zona zgjidhen edhe nga turistë çekë, polakë e sllovakë, por edhe nga pushues të vendeve të Europës veriore.