Programi i Konektivitetit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale financuar nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe qeveria shqiptare parashikon hartimin dhe zbatimin e masave për përmirësimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe të sigurisë rrugore.

TIRANË – Shqipëria është mjaft e prekshme nga ndryshimet klimatike. Fatkeqësitë natyrore të ndodhura vitet e fundit si përmbytjet, tërmetet, rrëshqitjet e tokës duhen marrë seriozisht në shqyrtim në investimet infrastrukturore, veçanërisht në ato që konsiderohen si pika të nxehta.

Rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike në rrjetin rrugor siguron përmirësimin e shërbimeve të transportit. Një sistem rrugor i qëndrueshëm dhe i sigurtë u garanton grupeve vulnerabël akses të shpejtë në shërbimet e arsimimit, shëndetësisë, strehimit dhe shërbimeve të tjera komunitare. Është përllogaritur se nëse sistemi rrugor nuk rehabilitohet, kostot e transportit të njerëzve dhe mallrave rriten me 40%. Nga ana tjetër, mungesa e masave për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike rezulton shpesh në rritje të kostove të mirëmbajtjes.

Për këtë qëllim, Programi i Konektivitetit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale financuar nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe qeveria shqiptare parashikon hartimin dhe zbatimin e masave për përmirësimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe të sigurisë rrugore.

Këto masa kanë të bëjnë me ndërhyrje konkrete për rritjen e dimensioneve të tombinove dhe urave, mbrojtjen shtesë për skarpatet me qëllim minimizimin e efekteve të rrëshqitjeve të tokës, modifikimin e formulave të asfaltit për t’i rezistuar temperaturave të larta, rritjen e dimensionit të kanaleve anësore, etj.

 

Lidhur me sigurinë rrugore, komponentja e parë programit sjell risi përsa i përket standardeve të projekteve infrastrukturore të zbatuara deri më tani. Financimi i masave për përmirësimin e sinjalistikës rrugore parashikon ndërhyrje në kalimet e këmbësorëve si trotuarë dhe korsi biçikletash, vijëzimet, sinjalistikën vertikale, sinjalistikën turistike, etj.

Programi Konektiviteti i Rrugëve Rajonale dhe Lokale ka si objektiv madhor rritjen e potencialeve të zonave me karakter bujqësor e turistik nëpërmjet investimeve në infrastrukturë që përmirësojnë aksesin zonat e përzgjedhura, si dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve rrugore dhe mirëmbajtjen e tyre. Në kuadër të këtij programi do të rikonstruktohen rrugët Fier – Seman, Pogradec – Tushemisht, Qafe Thore – Theth – Ndërlysaj, Shëngjin – Velipojë dhe Vlorë – Orikum si zona që kanë potencial të lartë bujqësor dhe turistik.

Për më shumë info mbi programin dhe zonat e ndërhyrjes klikoni: https://www.albaniandf.org/rruget-lidhese-rajonale/