Në kuadër të projektit Blue_Boost, të financuar nga Programi IPA Adrion,  Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi në datat 24 -25 maj 2019, HACKATHON për Inovacionet në Ekonominë Blu. Në këtë event dyditor të mbajtur në Durrës, u shtruan për zgjidhje sfida dhe cështje të lidhura me inovacionet në ekonominë blu, që ishin evidentuar më parë gjatë zhvillimit të laboratorëve blu dhe workshopeve të skenarëve.

Për të mundësuar zgjidhjet e këtyre sfidave, për të evidentuar hapat që duhet të ndërmerreshin dhe pengesat që duheshin kapërcyer ishin përzgjedhur studentë të Universitetit Europian , Universitetit Bujqësor dhe Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës.

Pjesëmarrësit ishin të ndarë në 6 grupe pune dhe u orientuan në evidentimin e inovacioneve që mund të ndikojnë në:

– Përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe eficiencës për menaxhimin e burimeve

– Përmirësimin e produktit turistik, marketimit dhe cilësisë së shërbimit

– Krijimin e një aplikimi mobile për informacion për turizmin dhe gjetje të reja

– Krijimin e një laboratori lokal për analizat për midhjet dhe ujrat e kripura

– Monitorimin e kapaciteteve prodhuese të ndërmarrjeve të peshkut

– Ngritjen e kapaciteteve të punëtorëve vendas në sektorin e peshkimit.

 

Ekspertë të fushës orientuan gjatë gjithë kohës studentët dhe ofruan mbështetjen e nevojshme.

Të gjitha grupet prezantuan këndvështrimin dhe zgjidhjet e tyre para një jurie të përbërë nga përfaqësuesit e FSHZH, eksperti i UET dhe ekspertët e pavarur që ishin angazhuar për këtë qëllim.

Në fund u shpall grupi fitues, me studentë të UBT-së, drejtimi Master, Akuakulturë dhe Menaxhim Peshkimi. Grupi fitues trajtoi temën e ngritjes së kapacitetit të punëtorëve vendas në sektorin e peshkimit. Drejtuesi i ketij grupi, studenti më i mirë, u përzgjodh nga organizatoret per te marre pjese ne Brokerage Event dhe Viziten Studimore që do të zhvillohet në Selanik në datat 4 dhe 5 Qershor në kuadër të projektit Blue Boost.