Janë 60,000 metra katrorë hapësira që i janë nënshtruar rehabilitimit dhe që po transformohen në hapësira urbane dhe rekreative.

TIRANË – Vazhdon puna për rikualifikimin urban të qendrës së Fierit dhe rehabilitimit të Lumit Gjanica një ndër projektet më të mëdha të ndërmarra në këtë qytet vitet e fundit.

Projekti, që financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka për qëllim të shndërrojë qendrën e qytetit dhe lumin Gjanica në zemrën e këtij qyteti. Sheshi qendror i qytetit është pika e takimit të pesë rrugëve të qytetit. Pas investimit të kryer për rehabilitimin e këtyre rrugëve rikonceptimi i sheshit dhe i lumit Gjanica përmbyllin objektivin për të transformuar rrënjësisht qendrën e qytetit jugor.

 

Janë 60,000 metra katrorë hapësira që i janë nënshtruar rehabilitimit dhe që po transformohen në hapësira urbane dhe rekreative. Në kuadër të të njëjtit projekt punohet edhe për rinovimin e fasadave të ndërtesave rreth sheshit, ndërtimi i korsive të biçikletave, ndërtimin e një parkimi nëntokësor prej 100 vendesh, etj.

Ndërkaq, në lumin Gjanica është punuar për ndërtimin e skarpateve. Për të mundësuar betonimin e tyre u ndryshua edhe rrjedha e lumit.

Po shtrohen pllakat në pjesën e sipërme të skarpateve mbi lumë dhe po ndërtohen lulishtet. Krahas rikonstruksionit të dy urave ekzistuese mbi lumë, projekti parashikon edhe ndërtimin e dy urave të reja: një urë automobilistike dhe një urë për këmbësorë.