Zbulohet kalldrëmi i vjetër mbi 200 vjeçar në Gjirokastër
Katër segmente me kalldrëm të vjetër janë zbuluar gjatë punimeve për rikualifikimin urban në Qafën e Pazarit. Dy prej tyre do të jenë të aksesueshëm për turistët dhe do të rrethohen me sinjalistikë treguese për vjetërsinë e kalldrëmit, duke i shtuar atraksioneve turistike në këtë zonë.
TIRANË – Katër segmente kalldrëmi të vjetër që vlerësohen nga 200 deri në 400 vjeçar janë zbuluar gjatë punimeve për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër.
Sipas Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës, z. Vasil Polo segmentet e kalldrëmit të vjetër janë zbuluar në pjesë të ndryshme të Pazarit të Vjetër. Projekti për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve të Gjirokastrës po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”. Për këtë pjesë të ndërhyrjes FSHZH bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Kulturës, specialistët e së cilës sigurohen që punimet për restaurimin e kalldrëmeve të kryhen sipas parametrave të duhur.
“Kalldrëmi që po restaurohet është i viteve 70-80. Në shumë vende ai ishte shumë i dëmtuar si në sipërfaqe ashtu dhe në shtresat e tij. Gjatë punimeve inxhinierike u zbuluan disa segmente kalldrëmi të vjetër që mendohet se është nga 200 deri në 400 vjeçar. Të paktën ky ishte vlerësimi paraprak nga specialistët,” tha Polo.
Segmentet e zbuluar kanë përmasa 2,5mx 2 m mesatarisht. Dy prej tyre janë mbuluar sërish me teksturë pasi mbi to duhej vendosur rrjeti inxhinierik nëntokësor. Përpara shtrimit të tubacioneve të ujësjellësit, telefonisë e sistemit të ndriçimit, dy segmente të kalldrëmit të vjetër janë pastruar me kujdes dhe janë mbështjellë më një copë speciale mbrojtëse. Gjithë procesi është kryer nën monitorimin e Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike.
Ndërkohë dy segmentet e tjera do të lihen të hapura dhe do të jetë e mundur që turistët e vizitorët t’i shohin e madje të shkelin mbi to.
Në total janë 15 metra katrorë kalldrëm i vjetër që është zbuluar. Segmentet që do të lihen hapur do të rrethohen me sinjalistikë treguese për vjetërsinë e kalldrëmit, ç’ka do e kthejë në një atraksion turistik shtesë në Qafën e Pazarit. Ndërkaq, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik po bën ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar saktësisht vjetërsinë e kalldrëmit.
Në vitin 1431 Gjirokastra kishte gjithsej 67 shtëpi. Numri i shtëpive dhe dyqaneve u shtua me kalimin e kohës dhe në vitin 1650 ajo u shndërrua në qendër administrative. E vendosur në mes të korridoreve të rëndësishme të rrugëve tregtare dhe shumë pranë Greqisë, Gjirokastra ishte një qendër administrative që vazhdimisht zgjerohej. Pazari i Vjetër që mendohet se filloi të ndërtohej në shekullin e 17-të, u rindërtua sërish në shekujt 18 dhe 19, kohë kur daton edhe baza e ndërtimeve të sotme.
Hapja e kalldrëmeve u bë shkak edhe për zbulimin e dhomave nën dyqanet ekzistuese të Qafës së Pazarit. Sipas ekspertëve mendohet se thuajse të gjithë dyqanet në Qafën e Pazarit kanë pasur qilarë dhe dhoma nëntokësore dhe në disa raste edhe ishin të lidhur me njëri – tjetrin.